Maqedonci: Universiteti i Prishtinës do të ketë rol kyç në zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se është nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Universitetit të Prishtinës, me synim forcimin e lidhjes ndërmjet dy institucioneve.
Sipas Maqedoncit, përmes këtij partneriteti do të krijohen mundësi të reja për studime, analiza, projekte kërkimore, trajnime profesionale dhe përfshirjen e ekspertizës akademike në zhvillimin e politikave dhe kapaciteteve të mbrojtjes.
Ai theksoi se, pas vendosjes së themeleve të industrisë së mbrojtjes, bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës është i rëndësishëm për krijimin e kapaciteteve vendore në prodhimin e armatimit, municioneve dhe sistemeve të tjera të mbrojtjes.
Maqedonci tha se studentët, inxhinierët dhe ekspertët e ardhshëm do të kenë rol kyç në zhvillimin e teknologjisë, inovacionit dhe kapaciteteve prodhuese që i nevojiten Kosovës për forcimin e mbrojtjes dhe sigurisë.
“Universiteti dhe mbrojtja, së bashku në shërbim të Republikës”, ka deklaruar Maqedonci.