I mituri nga Dragashi gjen kuletë me 153 euro, ia kthen pronarit përmes Policisë

Një 15-vjeçar nga Dragashi ka dhënë shembull të ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare, pasi ka gjetur një kuletë me para dhe dokumente dhe e ka dorëzuar menjëherë në polici.

Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 18 qershor 2026, rreth orës 19:00, në rrugën Dragash–Brod, afër fshatit Kukajan. I mituri, teksa po lëvizte me biçikletë, ka gjetur një kuletë që përmbante dokumente personale dhe 153 euro para të gatshme.

Ai e ka dorëzuar kuletën në Stacionin Policor në Dragash, ku zyrtarët policorë kanë arritur të identifikojnë pronarin përmes dokumenteve dhe ta kontaktojnë atë.

Një ditë më vonë, më 19 qershor, personi që kishte humbur kuletën është paraqitur në stacionin policor, ku i janë kthyer sendet e humbura. Ai ka falënderuar fëmijën për gjestin e tij të ndershëm, si dhe Policinë e Kosovës për angazhimin në kthimin e tyre.

Policia e Kosovës ka vlerësuar lart veprimin e 15-vjeçarit, duke theksuar se ai dëshmon ndershmëri, përgjegjësi dhe bashkëpunim qytetar me institucionet e rendit.

“Ky është një shembull i mirë për t’u ndjekur nga të gjithë”, thuhet në njoftimin e Policisë./Zëri