Rrezik nga zjarret për shkak të temperaturave, Policia në Pejë apel qytetarëve

Duke e marrë parasysh që gjatë çdo viti në stinën e verës Bjeshkët e Rugovës, ose të njohura ndryshe edhe si Bjeshkët e Nemuna, janë përballur me zjarre të shumta, por edhe nëpër sipërfaqe të tjera, Policia e Kosovës u ka bërë apel qytetarëve të Pejës të kenë kujdes, shkruan Zeri.info

Jo vetëm në Pejë, por Policia ka kërkuar nga të gjithë qytetarët e rrafshit të Dukagjinit që të kenë kujdes gjatë stinës së verës dhe të shmangin ndezjen e zjarreve.

“Apelojmë te të gjithë qytetarët e rajonit të Pejës që maksimalisht të jenë të kujdesshëm në çdo aktivitet që mund të shkaktojë zjarre gjatë përdorimit (shkrepëse, cigare, grilla, zjarre në natyrë etj.)”, apelon Policia.

Për të gjithë ata që shkaktojnë zjarre, Policia do të marrë masa ligjore.

“Policia e Kosovës do të ndërmarrë masa ligjore ndaj të gjithë atyre individëve që në një formë apo tjetër rrezikojnë jetën apo pronën e qytetarëve, qoftë qëllimisht ose përmes pakujdesisë së shfaqur në çfarëdo forme”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë i Policisë, pa ndërhyrje:

Duke iu referuar temperaturave të larta dhe përvojave nga vitet e kaluara, zjarret shkaktojnë rrezikim të përgjithshëm dhe pasoja të rënda kudo që shfaqen.

Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm, të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë apo të lajmërojnë autoritetet për çdo person të dyshuar që mund të jetë i përfshirë në raste të tilla të zjarrvënieve.

Policia e Kosovës do të ndërmarrë masa ligjore ndaj të gjithë atyre individëve që në një formë apo tjetër rrezikojnë jetën apo pronën e qytetarëve, qoftë qëllimisht apo përmes pakujdesisë së shfaqur në çfarëdo forme.

Apelojmë te të gjithë qytetarët e rajonit të Pejës, që maksimalisht të jenë të kujdesshëm në çdo aktivitet që mund të shkaktojë zjarre gjatë përdorimit (shkrepëse, cigare, grilla, zjarre në natyrë etj.). /Zëri