Panairi i librit sjell zhgënjim – botuesit të pakënaqur me interesimin dhe organizimin

Po bëjnë blerjet e fundit.

Me të gjitha zhanret letrare, ishin të furnizuara shtëpitë botuese të vendosura në hapësira të Pallatit të Rinisë.

“Janë të furnizuar goxha mirë, botues nga Shqipëria dhe janë edhe disa prej botuesve tonë. Ka libra, ka ekzemplarë, ku mujna me zgjedhë. Kushdo me lexu, le t’lexon. Ka libra letërsi, filozofi, psikologji e të tjera”, shprehet Musa Tullari – blerës.

Kështu, edicionit të 26 të Panairit të Librit në Prishtinë, të dielën i erdhi fundi.

Për pesë ditë rresht qytetarët kanë pasur mundësi që të vijnë e të blejnë libra të cilat janë prezantuar nga Shtëpitë Botuese në Panairin e Librit.

Përgjatë këtyre ditëve, vlerësohet se nuk ka pasur shumë vizitorë.

Rrjedhimisht, përfaqësues të shtëpive botuese shprehen të zhgënjyer.

“Vizitorë ka shumë pak, muj me thanë se më tepër jemi staf se sa vizitorë. Mundesh m’i numëru në gishta vizitorët që kanë ardhë. Ky është një tregues shumë i hidhur, shumë e keqe, e cila duhet të mendohet se pse është kështu dhe çka duhet bërë për të ardhmen”, thotë Musa Bytyqi nga shtëpia botuese “Pena”.

Kjo solli edhe vështirësi në mbulimin e shpenzimeve për shitësit e librave nëpër stenda, qoftë të shtëpive botuese qoftë shitësve privat.

“Pa marrë po e thom, menzi po i mbulojmë shpenzimet. Unë nga Prizreni vij, çdo ditë udhëtoj, stenda paguhet, ushqimi paguhet. Edhe më besoni, vetëm sa me thanë që jemi pjesëmarrës”, thotë ai.
Mungesën e vizitorëve e kanë vërejtur edhe vetë dashamirët e librit, që vizituan panairin, megjithëse temperaturave të larta të qershorit.

“Pjesëmarrja ka qenë ngase është mesi i muajit, kur fillon boshatisja e xhepave, kujtoj që është fundjavë dhe tash njerëzit kërkojnë të shkojnë në pushime. Dhe e treta e kam parë mungesën e nxënësve pasi janë në pushim vjetor”, shprehet Sabit Jaha – blerës.

Edhe shtëpi botuese nga Shqipëria, patën stendat e tyre në Pallatin e Rinisë.

Për ta, përkundër vizitorëve të paktë, panairi ishte përvojë e mirë.

“Në Kosovë kam një eksperiencë shumë të bukur, jam shumë i kënaqur. Edhe pse isha i rrethuar këtu me një ambient jo të përshtatshëm për letërsinë artistike, lexuesi shqiptar i Kosovës e njeh letërsinë dhe kjo është më kryesorja”, thotë Ilri Kushi-autor.

Edicioni i sivjetmë i Panairit të Librit, u organizua nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunën e Prishtinës dhe Pallatin e Rinisë.