Franca ndalon alkoolin në disa aktivitete publike për shkak të valës ekstreme të të nxehtit

Autoritetet franceze kanë ndaluar konsumin e alkoolit në disa aktivitete të Festivalit Kombëtar të Muzikës (Fête de la Musique), ndërsa vendi po përballet me një valë të fortë të nxehti që po i çon temperaturat pranë niveleve rekord.

Festimet tradicionale të Fête de la Musique, që çdo vit tërheqin miliona pjesëmarrës në rrugët e Francës, po zhvillohen këtë herë nën masa të rrepta sigurie. Një e treta e territorit francez ndodhet nën alarm të kuq për temperatura ekstreme, duke detyruar qeverinë të kufizojë konsumin e alkoolit në hapësirat publike.

“Për të gjitha ngjarjet e organizuara nga shteti dhe institucionet e tij janë dhënë udhëzime që të mos ofrohet alkool”, deklaroi zyra e Kryeministrit Sébastien Lecornu.

Sipas parashikimeve meteorologjike, temperaturat pritet të arrijnë 39-40 gradë Celsius në shumë rajone të vendit, nga jugperëndimi deri në zonën e Parisit dhe Burgundy, ndërsa në disa vende mund të shënohen deri në 41 gradë Celsius.

Autoritetet paralajmërojnë se kulmi i valës së të nxehtit pritet të regjistrohet të hënën, me mundësi për thyerje rekordesh temperaturash. Qeveria ka kërkuar kufizimin e konsumit të alkoolit për të mos rënduar më tej shërbimet e urgjencës dhe sistemin shëndetësor, duke u mundësuar ekipeve mjekësore të fokusohen tek grupet më të rrezikuara.

Vala e të nxehtit ka shkaktuar probleme në mbarë vendin, duke çuar në anulimin e dhjetëra linjave hekurudhore dhe pezullimin e mësimit në disa zona. Shërbimi meteorologjik Météo-France ka deklaruar se ende nuk është e qartë se sa do të zgjasë kjo periudhë e temperaturave ekstreme, e cila pritet të prekë rreth tre të katërtat e popullsisë franceze./rtsh