Australia konfirmon rastin e parë të gripit të shpendëve H5N1
Australia ka konfirmuar, për herë të parë, praninë e virusit të gripit të shpendëve, duke shënuar momentin kur varianti shumë ngjitës H5N1, është raportuar tashmë në çdo kontinent, raportoi BBC.
Sipas autoriteteve australiane të bujqësisë, virusi është zbuluar te një zog deti migrator, në Australinë Perëndimore, në një zonë të largët pranë Parkut Kombëtar “Cape Le Grand”, rreth 700 kilometra nga Perth.
Ministrja e Bujqësisë, Julie Collins, deklaroi se Australia nuk mund të shmangte përgjithmonë shfaqjen e rasteve të gripit të shpendëve, ndërsa autoritetet kanë nisur monitorimin e gjerë të zonës për përhapje të mundshme.
Një rast i dytë i dyshuar është raportuar te një shpend tjetër i egër, ndërsa autoritetet theksojnë se deri tani, nuk ka shenja për ngordhje masive të kafshëve.
Zyrtarët veterinarë australianë kanë bërë të ditur se vendi, ka qenë prej kohësh, i përgatitur për një hyrje të mundshme të virusit dhe se ekipet e emergjencës janë aktivizuar menjëherë.
Shkencëtarët kujtojnë se H5N1 është zbuluar më herët në territore të largëta të Australisë Jugore, përfshirë ishujt Heard dhe McDonald, ku vitin e kaluar u raportuan edhe ngordhje masive të fokave dhe ndikim në popullatat e pinguinëve.
Sipas studimeve, virusi ka shkaktuar humbjen e mijëra kafshëve detare në ato zona, ndërsa mendohet se është përhapur përmes shpendëve migratorë, nga rajone të tjera të Oqeanit Jugor.
Autoritetet australiane pritet të konfirmojnë brenda disa ditëve, nëse virusi është përhapur edhe në popullata të tjera shtazore në vend. /atsh