Bogujevci merr pjesë në Forumin Ministror të Ballkanit Perëndimor për Ekonominë Kreative
Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, mori pjesë në Forumin e Dytë Ministror të Ballkanit Perëndimor për Ekonominë Kreative, i organizuar në Herceg Novi nga Ministria e Kulturës dhe Medias e Malit të Zi, në kuadër të Procesit të Berlinit.
Forumi mblodhi ministra dhe zyrtarë të lartë të kulturës nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe shtetet pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit, me synimin për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe për të avancuar ekonominë kreative si një sektor me potencial të madh zhvillimor.
Në fjalën e saj hapëse, ministrja e Kulturës e Malit të Zi, Tamara Vujoviq, theksoi se ekonomia kreative përbën një interes të përbashkët për rajonin dhe një hapësirë të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë forumit, ministrja Bogujevci prezantoi zhvillimet që ka shënuar Kosova në fushën e ekonomisë kreative, duke veçuar rritjen e industrive kreative, sukseset ndërkombëtare të artistëve kosovarë, si dhe ndikimin e festivaleve kulturore në zhvillimin lokal dhe promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ajo prezantoi gjithashtu Strategjinë e Ekonomisë Kreative, të finalizuar këtë vit, si dhe prioritetet e Kosovës për zhvillimin e aftësive kreative, avancimin e edukimit dhe inovacionit, mbështetjen e festivaleve kulturore dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Në forum morën pjesë edhe përfaqësues diplomatikë dhe partnerë ndërkombëtarë, ndër ta edhe ambasadorja e Malit të Zi në Kosovë, Ariana Zherka Hoxha.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë forum u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe për fuqizimin e rolit të ekonomisë kreative në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të rajonit. /kultplus