Ministri Gashani pret delegacionin e Iowa Soccer Association nga SHBA-ja

Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka mirëpritur një delegacion të Iowa Soccer Association nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i përbërë nga 30 pjesëmarrës, duke përfshirë sportistë të rinj, trajnerë dhe përfaqësues të klubit.

Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sportit dhe rinisë, si dhe për mundësitë e shkëmbimit të përvojave mes të rinjve të Kosovës dhe SHBA-së.

Ministria e Sportit dhe Rinisë ka mbështetur agjendën gjashtëditore të delegacionit në Kosovë, e cila përfshin takime institucionale, vizita kulturore e historike, si dhe aktivitete sportive me klube dhe organizata të futbollit në vend.

Sipas ministrisë, kjo vizitë përfaqëson një mundësi të rëndësishme për forcimin e lidhjeve ndërmjet të rinjve të dy vendeve, promovimin e vlerave të sportit, shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e partneriteteve të reja ndërkombëtare në funksion të zhvillimit të sportit dhe rinisë. /kultplus