Në QNR rinumërohen 102 nga 185 vendvotime, procesi i kontrollit vijon
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i rinumërimit të vendvotimeve të rregullta, sipas vendimit të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Sipas njoftimit zyrtar, deri në orën 16:00 të së enjtes, janë rinumëruar gjithsej 102 nga 185 vendvotime të përfshira në vendim. Procesi ka nisur në mëngjes dhe po zhvillohet në mënyrë të vazhdueshme në ambientet e QNR-së.
Vendimi i KQZ-së parasheh rinumërimin e fletëvotimeve të 185 vendvotimeve të rregullta, të cilat më herët janë numëruar në Qendrat Komunale të Numërimit. Këto përbëjnë rreth 7.41% të totalit prej 2,498 vendvotimesh ku është zhvilluar votimi më 7 qershor 2026.
Rinumërimi përfshin një numër të shpërndarë vendvotimesh në të gjitha komunat e vendit, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Pejën, Gjakovën, Ferizajn, Gjilanin, Mitrovicën dhe të tjera, si dhe disa komuna me përfaqësim më të vogël të vendvotimeve.
Sipas KQZ-së, kjo masë është ndërmarrë në bazë të rregullores për funksionimin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, me qëllim të sigurimit të saktësisë së procesit zgjedhor dhe adresimit të parregullsive të evidentuara gjatë numërimeve paraprake në disa qendra komunale./Zëri