Kusari-Lila në Trieste: Bashkëpunim Kosovë–Itali për zhvillimin e inovacionit dhe parqeve teknologjike
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), Mimoza Kusari-Lila, gjatë qëndrimit në Trieste të Italisë ka zhvilluar një takim me presidenten e Area Science Park, Caterina Petrillo, për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit në fushën e kërkimit dhe inovacionit.
Sipas njoftimit zyrtar, palët biseduan për menaxhimin e parkut teknologjik, strategjitë për zhvillimin e inovacionit dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Area Science Park për zhvillimin e parqeve kërkimore dhe inovative në vend, përmes një memorandumi bashkëpunimi.
Vizita u vlerësua si pjesë e përpjekjeve për forcimin e lidhjeve ndërmjet parqeve teknologjike të Kosovës dhe qendrave më të avancuara evropiane të inovacionit, si dhe për identifikimin e modeleve më të mira të menaxhimit dhe zhvillimit të tyre.
“Area Science Park është një organizatë kombëtare kërkimore në rajonin Friuli Venezia Giulia, e cila përfshin 49 ndërmarrje, gjashtë qendra kërkimore dhe katër laboratorë, me rreth 3,000 të punësuar”, thuhet në njoftim.
Kusari-Lila ka theksuar se përmes vizitave dhe bashkëpunimeve të tilla, Kosova po prezantohet në qendrat më të rëndësishme evropiane të kërkimit dhe inovacionit, duke dëshmuar potencialin e saj për investime dhe zhvillim ekonomik të bazuar në dije dhe teknologji.
Ajo ka shtuar se këto iniciativa po krijojnë ura të reja bashkëpunimi, të cilat hapin mundësi për institucionet, bizneset dhe talentet kosovare në tregun evropian të inovacionit.
Në takim mori pjesë edhe ambasadorja e Kosovës në Itali, Nita Shala.