Kurti pas përfundimit të numërimit: LVV-ja e rikonfirmuar si parti e parë me 53 deputetë

Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë në zgjedhjet e 7 qershorit, pasi dje përfundoi procesi i numërimit të të gjitha votave.

Në një reagim publik, Kurti tha se fitorja e partisë së tij është rezultat i mbështetjes së madhe të qytetarëve brenda Kosovës dhe në mërgatë, si dhe i angazhimit të mijëra vullnetarëve, anëtarëve dhe aktivistëve të Lëvizjes.

“Ju falënderoj përzemërsisht për besimin e dhënë! Kjo fitore e fuqishme vjen si rezultat i mbështetjes së madhe qytetare brenda Republikës dhe në mërgatë, si dhe angazhimit të mijëra qytetarëve vullnetarë, anëtarëve e aktivistëve të Lëvizjes që nuk u ndalën asnjëherë”, ka deklaruar ai.

Sipas Kurtit, rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit dëshmoi se nuk kishte nevojë për zgjedhje të reja, pasi rezultati përfundimtar nuk ka pësuar ndryshime të mëdha.

Ai theksoi se Lëvizja Vetëvendosje është rikonfirmuar si forca e parë politike në vend me 53 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

“Tash presim certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve në mënyrë që të nisim punën në drejtim të formimit të institucioneve të reja, për të vazhduar punët e mira dhe projektet zhvillimore”, është shprehur Kurti. /Zëri