Ushtari arbëresh i Italisë befason me shqipen e tij [video]
Një takim i veçantë mes një ushtari të Italisë me origjinë shqiptare dhe fotografit, Arbiol Simoni, ka tërhequr vëmendjen për shkak të dashurisë që arbëreshët vazhdojnë të ruajnë për gjuhën dhe traditat shqiptare.
Teksa Arbiol Simoni po realizonte fotografi me disa ushtarë, një prej tyre iu afrua dhe i foli në gjuhën shqipe.
Ushtari u prezantua si arbëresh dhe i tha: “Unë jam arbëresh. Ti u ke bërë fotografi disa shokëve të mi, a do të na bësh edhe neve të dyve?”.
I befasuar nga shqipja e rrjedhshme e ushtarit, Simoni e pyeti se sa vite kishte jetuar në Itali.
Përgjigjja e tij ishte: “Kam lindur këtu, jam arbëresh”.
Më tej, ushtari tregoi se ai dhe komuniteti i tij jetojnë në një fshat arbëresh në Itali, ku prej brezash ruhen me krenari gjuha, këngët dhe veshjet tradicionale shqiptare.
“Ne kemi gjuhën tonë, këngët tona dhe veshjet tona”, tha ai, duke theksuar lidhjen e fortë që arbëreshët vazhdojnë të kenë me rrënjët e tyre shqiptare.
Në fund të bisedës miqësore, Arbiol Simoni realizoi një fotografi kujtim me ushtarin arbëresh dhe shokët e tij. Fotografitë ua dhuroi menjëherë, duke i lënë të gjithë shumë të kënaqur dhe të buzëqeshur.