Gazi amerikan, ç’thonë nga Oda Ekonomike Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës?

Gazi amerikan është bërë një nga temat më të diskutuara në sektorin energjetik të Kosovës gjatë periudhës së fundit, derisa debati ka të bëjë me mundësinë e përfshirjes së Kosovës në projektet rajonale të gazit të lëngshëm natyror (LNG) të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përkrahësit e këtij projekti, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Oda Ekonomike e Kosovës një ditë më parë kanë lëshuar komunikata lidhur me këtë çështje, duke thënë se furnizimi me gaz amerikan do të rriste sigurinë energjetike, do të zvogëlonte varësinë nga importi i energjisë elektrike dhe do të krijonte mundësi të reja për zhvillim ekonomik.Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë të mërkurën përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësimin e saj serioz lidhur me siç theksojnë mungesën e vazhdueshme të konsideratës nga ana e Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës për thirrjet e përsëritura të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të mbështetur përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën dhe rrjetin e furnizimit me gaz të lëngshëm natyror (LNG).

OEAK-u thekson se në një kohë kur Kosova vazhdon të mbetet tejmase e varur nga kapacitetet e vjetruara gjeneruese, importet e mëdha të energjisë elektrike dhe një treg rajonal energjetik gjithnjë e më i paqëndrueshëm, qasja në gazin e lëngshëm amerikan përfaqëson jo vetëm një mundësi energjetike, por edhe një zgjedhje strategjike.“Diversifikimi i burimeve të energjisë, rritja e sigurisë së furnizimit dhe forcimi i konkurrueshmërisë ekonomike duhet të mbeten ndër prioritetet kombëtare të Kosovës.

Veçanërisht shqetësues është fakti se të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë shprehur zotimin e tyre për t’u bërë pjesë e infrastrukturës rajonale të LNG-së, e cila po zhvillohet me mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova rrezikon të mbetet jashtë një kornize strategjike rajonale që po përcakton gjithnjë e më shumë të ardhmen e sigurisë energjetike dhe zhvillimit ekonomik në Evropën Juglindore”, thuhet në reagim.

Oda Amerikane vlerëson se partneriteti strategjik i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet një nga asetet më të rëndësishme kombëtare të vendit.“Shpërfillja e vazhdueshme e qëndrimeve dhe prioriteteve strategjike të aleatit më të afërt të Kosovës bart rrezikun e ndikimit në cilësinë dhe thellësinë e këtij partneriteti me kalimin e kohës.

Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u bën thirrje institucioneve të Kosovës që të rivlerësojnë me kujdes implikimet afatgjata strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike të qëndrimit jashtë nismave rajonale për LNG-në dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë çështje me rëndësi të veçantë”, thuhet ndër të tjera në reagim.Lidhur me projektin e gazit amerikan, po të mërkurën kanë reaguar edhe Oda Ekonomike të Kosovës.

OEK-u ka bërë thirrje për veprime urgjente nga institucionet e Kosovës për përfshirjen e vendit në projektet rajonale të gazit natyror, duke e cilësuar këtë si të domosdoshme për sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Oda paralajmëron se refuzimi ose mosangazhimi në projektet e gazit amerikan mund të ndikojë negativisht në partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe në pozicionimin e Kosovës në zhvillimet energjetike rajonale.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor po avancojnë shpejt në zhvillimin e infrastrukturës së gazit dhe lidhjeve me burime alternative furnizimi, përfshirë projektet LNG me mbështetje ndërkombëtare. Mungesa e Kosovës në këto iniciativa e vendos vendin në disavantazh ekonomik dhe kufizon mundësitë për investime të reja strategjike”, thuhet në reagimin e OEK-ut. Në këtë drejtim, Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje institucioneve që të intensifikojnë dialogun me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, për të siguruar përfshirjen aktive të Kosovës në projektet energjetike të së ardhmes.

OEK-u rikujton se ka kërkuar edhe më herët veprime urgjente në këtë drejtim, duke theksuar se diversifikimi i burimeve të energjisë dhe zhvillimi i infrastrukturës së gazit janë thelbësore për sigurinë e furnizimit dhe rritjen ekonomike të vendit. /Telegrafi