Arrestohen tre persona për falsifikim dokumentesh, Policia sekuestron 50 mijë euro, armë dhe pajisje elektronike

Policia e Kosovës përmes njoftimit ka bërë të ditur se ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në një skemë të falsifikimit të dokumenteve, pas një operacioni të zhvilluar në tri rajone të vendit.

Sipas njoftimit të PK-së, thuhet se aksioni është realizuar të mërkurën nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), pas një hetimi disa mujor dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, raporton Zeri.info.

"Bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Ferizaj, janë kryer kontrolle në tri lokacione të ndryshme në rajonet e Prishtinës, Gjilanit dhe Prizrenit, me qëllim sigurimin e provave lidhur me dyshimet për falsifikim dokumentesh dhe vepra të tjera penale", thuhet në njofitmin e PK-së.

Tutje sipas njofimit të Policisë, bëhet e ditur se të dyshuarit dyshohet se kanë bashkëpunuar mes vete për të falsifikuar dokumente të ndryshme, ndërsa gjatë kontrollit janë sekuestruar rreth 50 mijë euro para të gatshme, një veturë, një armë zjarri pa leje, dy shtëpiza kompjuteri, tre telefona mobilë, si dhe dokumente të ndryshme, autorizime dhe kontrata që pritet të përdoren si prova në procedurën hetimore.

"Të arrestuarit janë shoqëruar në zyrat policore dhe janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës. Policia bëri të ditur se ndaj tyre rëndojnë dyshimet për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës", thuhet në njoftimin e PK-së.

Ndërsa me vendim të prokurorit të rastit, tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë. /Zëri