Parlamenti Evropian miraton rezolutën për Shqipërinë, vlerëson progresin në integrimin në BE
Parlamenti Evropian ka miratuar Rezolutën vjetore për Shqipërinë, duke i dhënë një mbështetje të gjerë procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Në një raport të miratuar me 483 vota pro, 103 kundër dhe 70 abstenime, eurodeputetët mirëpresin progresin e shpejtë të Shqipërisë në vitet e fundit, duke u bërë thirrje autoriteteve të sigurojnë që legjislacioni i miratuar të zbatohet plotësisht.
Pavarësisht progresit të saj, Parlamenti thotë se Shqipëria ende përballet me disa sfida, të tilla si kapërcimi i polarizimit të brendshëm politik dhe përmirësimi i kulturës politike të vendit, forcimi i sundimit të ligjit dhe konsolidimi i reformave kundër korrupsionit. Duke vënë në dukje ambicien e Shqipërisë për të mbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, raporti paralajmëron se cilësia e reformave të vendit do të përcaktojë orarin e pranimit të vendit.
Raporti për vitin 2025, i hartuar nga raportuesi për Shqipërinë Andreas Schieder, nënvizon objektivin për mbylljen e negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027. Në fjalën e mbajtur në seancë, Schieder theksoi se ky objektiv është plotësisht realist, duke vlerësuar ritmin e reformave të ndërmarra nga Shqipëria.
Në të njëjtën linjë, Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, vlerësoi progresin e Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar se procesi i zgjerimit është rikthyer në qendër të debatit politik europian si një instrument për forcimin e stabilitetit dhe pavarësisë së kontinentit.
Ajo veçoi Shqipërinë dhe Malin e Zi si dy vendet me ecurinë më të dukshme në procesin e integrimit, duke u ndalur konkretisht te përmbushja nga Shqipëria e standardeve të përkohshme për sundimin e ligjit (IBAR), një hap teknik që i hap rrugë vendit për nisjen e mbylljes së kapitujve negociues.
“Shqipëria gjithashtu sapo ka bërë një hap të rëndësishëm përpara, duke arritur IBAR, standardet e përkohshme për sundimin e ligjit, të cilat i lejojnë vendit të fillojë mbylljen e kapitujve. Por ende ka shumë për të bërë,” u shpreh Komisionerja Kos në Parlamentin Evropian.
Sipas saj, pavarësisht progresit të dukshëm, procesi i reformave duhet të thellohet më tej, në mënyrë që standardet evropiane të konsolidohen në mënyrë të qëndrueshme në sistemin institucional të vendit.
Raporti i miratuar nga Parlamenti Evropian vlerëson në përgjithësi përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit, duke e cilësuar momentin aktual si një fazë të rëndësishme të avancimit të negociatave me Bashkimin Evropian.