Defekti lë pa rrymë dy salla operative në QKUK, anulohen operacionet e pacientëve
Një defekt në rrymë ka shkaktuar anulimin e programit operativ në dy klinika të QKUK-së, Kirurgji Abdominale dhe Kirurgji Plastike.
Sektori i Shërbimeve Teknike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka deklaruar se është fjala për një defekt teknik në kontaktorin e sistemit gjenerator-rrjet.
“Bazuar në të dhënat nga Sektori i Shërbimeve teknike në QKUK, lidhur me pyetjet e adresuara, për funksionimin e bllokut operativ në klinikat e Kirurgjisë, ju informojmë se sot, në orët e mëngjesit, është paraqitur një defekt teknik në kontaktorin e sistemit gjenerator–rrjet”, thuhet në sqarimet e QKUK-së.
Si pasojë e këtij defekti, janë dëmtuar trafot vetanake që furnizojnë me energji elektrike sallat operative të Kirurgjisë Plastike dhe Kirurgjisë Abdominale.
Nga QKUK-ja kanë deklaruar se ekipi i mirëmbajtjes teknike ka ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme për sanimin e defektit dhe është duke punuar intensivisht për eliminimin e pasojave të tij.
“Sipas planifikimeve aktuale, pritet që gjatë ditës së sotme të funksionalizohen edhe këto dy salla operative. Ndërkaq, pjesa tjetër e rrjetit elektroenergjetik në sallat e tjera operative është funksionale dhe nuk ka probleme në furnizimin me energji elektrike”, deklaruan nga QKUK-ja. /Gazeta Shneta