ASK: Rritet prodhimi i thëngjillit dhe konsumi i energjisë elektrike në Kosovë gjatë prillit

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Energjisë për muajin prill 2026, të cilat tregojnë rritje të prodhimit të thëngjillit dhe konsumit të energjisë elektrike, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas ASK-së, prodhimi i thëngjillit gjatë prillit 2026 arriti në 826.993 tonë, duke shënuar rritje prej 20,7 për qind krahasuar me prillin e vitit 2025.

Konsumi i energjisë elektrike në vend ishte 460.659 GWh, ose 5,58 për qind më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Ndërkaq, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 567.640 GWh, duke shënuar një rënie të lehtë prej 0,07 për qind, transmeton Zeri.info.

Të dhënat tregojnë se importi i energjisë elektrike gjatë prillit ishte 335.29 GWh, ndërsa eksporti arriti në 203.27 GWh. Pjesëmarrja e energjisë alternative në konsumin e përgjithshëm të energjisë elektrike ishte 16,36 për qind.

Sa i përket prodhimit, termocentralet prodhuan 360.260 GWh energji elektrike, ose 11,94 për qind më shumë se një vit më parë. Në anën tjetër, prodhimi nga hidrocentralet ra për 9,07 për qind, ndërsa ai nga era dhe energjia solare u ul për 11,74 për qind.

ASK-ja njofton se amvisëritë vazhdojnë të mbeten konsumatorët më të mëdhenj të energjisë elektrike, me 60,1 për qind të konsumit total, pasuar nga sektori komercial me 24,6 për qind dhe industria me 10,5 për qind.

Sipas raportit, konsumi i energjisë elektrike në sektorin industrial u rrit për 10,45 për qind, ndërsa te konsumatorët e nivelit 220-110 kV u regjistrua rritja më e madhe, prej 154,79 për qind, krahasuar me prillin e vitit të kaluar. /Zëri