Bllokada në Kuvend rrezikon humbjen e rreth 60 milionë eurove nga Plani i Rritjes i BE-së
Bllokada në Kuvendin e Kosovës po rrezikon zbatimin e reformave të parapara në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian dhe mund të vërë në rrezik afro 60 milionë euro fonde deri në fund të muajit qershor, u tha në takimin e parë të Komitetit Monitorues BE–Kosovë për Instrumentin për Reforma dhe Rritje.
Koordinatori Kombëtar i Kosovës për Instrumentin për Reforma dhe Rritje, Jeton Zulfaj, tha se Kosova ishte ndër vendet e para të rajonit që përmbylli me sukses negociatat me Bashkimin Evropian për agjendën reformuese, por se procesi i ratifikimit të marrëveshjeve u vonua për shkak të bllokadave në Kuvend.
“Kosova ishte ndër vendet e para të rajonit që kishte përmbyllur negociatat me BE-në me sukses për reformat e planit të rritjes në verën e vitit 2024. Më pas qeveria ka miratuar agjendën e reformave, pa vonesa më 9 tetor 2024. Pastaj bllokadat që shkojnë në Kuvend e vonoi ratifikimin duke vonuar kështu edhe zbatimin e reformave, duke vonuar edhe këtë takim i cili sigurisht që do të duhej të mbahej më herët”, tha ai.
Zulfaj rikujtoi se Kuvendi ratifikoi marrëveshjet për instrumentin dhe huan më 13 shkurt të këtij viti, ndërsa fondet e para të parafinancimit u pranuan në muajin prill.
“Më 13 shkurt të këtij viti Kuvendi ka ratifikuar dy marrëveshjet e këtij instrumenti, marrëveshjen për instrumentin dhe marrëveshjen për huan. Menjëherë pas kësaj me 19 mars të këtij viti Qeveria miratoi vendimin për sistemin e zbatimit të këtij instrumenti. Më pas me 16 prill kemi filluar të pranojmë fondet e para të parafinancimit nga Plani i Rritjes në shumën prej 61.8 milionë euro”, tha ai.
Sipas tij, bllokada aktuale në Kuvend po pengon miratimin e reformave që lidhen kryesisht me legjislacionin dhe mund të ketë pasoja financiare për vendin.
“Vonesat nga viti i kaluar në Kuvend, siç e thashë edhe në fillim, kanë vonuar ratifikimin e marrëveshjeve si dhe zbatimin e reformave. Fatkeqësisht bllokada në Kuvend vazhdon këtë vit duke vonuar tutje reformat e nevojshme që kryesisht janë ligje që duhet kaluar në Kuvend. Si pasojë e kësaj bllokade në fund të këtij muaji në qershor tashmë mund të rrezikohen 9 hapa në shumë prej afër 60 milionë euro nga Plani i Rritjes”, tha Zulfaj.
Nga ana tjetër, udhëheqësi i Njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore të Komisionit Evropian, Jiri Plecity, tha se Kosova ka qenë ndër përfitueset e para në Ballkanin Perëndimor që ka përgatitur një agjendë reformuese të vlerësuar pozitivisht nga Brukseli.
“Tani, pothuajse dy vjet më parë – edhe kjo tashmë janë bërë dy vjet – po e shikoja me kolegun tim, dy vjet më parë agjenda reformuese e Kosovës vendosi një kornizë të shëndoshë, gjithëpërfshirëse dhe konsistente për të avancuar në këtë rrugë evropiane përmes reformave. Më kujtohet se Kosova ishte në fakt ndër vendet e para përfituese në Ballkanin Perëndimor që përgatiti një agjendë reformuese e cila u prit shumë mirë. Prandaj, tani është vërtet koha që Kosova të dyfishojë përpjekjet për zbatimin e këtyre reformave dhe jam shumë i kënaqur që kam dëgjuar për të gjitha përpjekjet që tashmë keni ndërmarrë për ta dinamizuar, për ta bërë sistemin më të përgjegjshëm dhe më të përgatitur për zbatimin e këtyre reformave”, tha ai.
Plecity theksoi se përparimi në reformën në drejtësi, forcimi i të drejtave themelore dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar mbeten prioritete kyçe.
“Më lejoni të theksoj vetëm disa prej tyre, për të mos mbetur shumë abstrakt, megjithëse gjatë diskutimeve të sotme do t’i trajtojmë këto çështje në hollësi. Së pari, do të doja të theksoja se përparimi i shpejtë në reformën në drejtësi është thelbësor, po ashtu edhe forcimi i të drejtave themelore dhe përmirësimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha ai.
Ai veçoi edhe rëndësinë e reformave në sektorin e energjisë.
“Po ashtu, miratimi i ligjeve të reja për energjinë dhe energjinë elektrike, së bashku me ligjin për rregullatorin e energjisë, mbetet një prioritet kritik. Këto masa nuk janë vetëm reforma thelbësore në kuadër të agjendës reformuese, me periudha kalimtare që skadojnë tashmë në qershor dhe dhjetor 2026, por ato janë gjithashtu çelësi për forcimin e sigurisë energjetike të Kosovës”, tha ai.
Plecity përmendi gjithashtu mundësitë që ofron Plani i Rritjes, përfshirë integrimin në Zona e Vetme Evropiane e Pagesave (SEPA), zgjerimin e sistemit “Roam Like at Home” dhe përfitimet nga Tregu i Përbashkët Rajonal.
“Dhe më lejoni gjithashtu të kujtoj mundësitë e rëndësishme që mund të shfrytëzohen në kuadër të shtyllave të para dhe të dyta të Planit të Rritjes. Konkretisht, mundësi të tilla si Zona e Vetme Evropiane e Pagesave (SEPA), apo përparimi i fundit drejt shtrirjes së sistemit ‘Roam Like at Home’ edhe në Kosovë, pa harruar të gjitha mundësitë në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal”, tha ai.
Sipas tij, Kosova mund të përfitojë deri në 880 milionë euro nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje, por kjo varet nga përmbushja e reformave të dakorduara.
“Tani, në kuadër të RGF-së, Kosova ka të drejtë të përfitojë deri në 880 milionë euro në total. Natyrisht, kjo kushtëzohet nga përmbushja e hapave të agjendës reformuese dhe nga përmbushja e vazhdueshme e kushteve të përgjithshme dhe parakushteve për pagesa. Për të qenë në gjendje t’i shfrytëzojë këto burime, Kosova tani duhet urgjentisht të përshpejtojë zbatimin e reformave për të përfituar nga këto investime të konsiderueshme në zhvillimin social dhe ekonomik dhe të shmangë humbjen e mbështetjes për ato hapa reformues që do të përballen shumë shpejt me afatet e tyre, përkatësisht me përfundimin e periudhave kalimtare”, tha ai. /EO