Vazhdon numërimi i votave nga diaspora, ky është rezultati

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i përpunimit të votave të ardhura me postë nga zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

Gjatë ditës së hënë ekipet e numërimit kanë vazhduar me verifikimin dhe numërimin e pakove postare. Nga gjithsej 223 pako të pranuara deri tani, janë përfunduar 80, që përbëjnë rreth 35,9 për qind të totalit.

Të dhënat e fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të udhëheqë bindshëm në votat e diasporës me 69,67 për qind. Në vendin e dytë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 15,17 për qind të votave të numëruara deri tani.

Partia Demokratike e Kosovës mban pozitën e tretë me 7,98 për qind, ndërsa Aleanca ka siguruar 5,34 për qind të mbështetjes nga votuesit jashtë vendit.