Nderohen familjet që mbështetën UÇK-në, zbulohen tri pllaka përkujtimore

Në shenjë nderimi për kontributin dhe sakrificën gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot u zbuluan tri pllaka përkujtimore kushtuar familjeve Qenaj, Peraj dhe Thaqi, të cilat kanë kontribuar në organizimin dhe mbështetjen e UÇK-së.

Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë familjarë, bashkëluftëtarë, veteranë dhe qytetarë, të cilët vlerësuan rolin e këtyre familjeve në përpjekjet për lirinë e Kosovës. Organizatorët theksuan se këto familje kanë shërbyer si baza të rëndësishme të veprimtarisë ilegale të UÇK-së.

“Sot organizata ka nderuar duke vendosur tri pllaka përkujtimore në shtëpitë që kanë shërbyer si baza ilegale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke dëshmuar se këto ishin bazat fillestare të organizimit ushtarak ilegal në atë kohë”, tha Bedri Muhadri, profesor i historisë.

Edhe familjarë të dëshmorëve dhe veteranë të UÇK-së vlerësuan këtë akt si dëshmi se vepra e tyre do të mbetet gjithmonë në kujtesën e brezave.

“Në atë kohë kemi pasur vullnet të madh, kemi ikur prej këtu dhe kemi dalë në Shqipëri. Qëllimi ynë ka qenë Kosova e lirë dhe kthimi këtu”, tha Enver Qena.

“Me bashkëluftëtarët kemi qenë të pandashëm, kemi marrë pjesë në shumë aksione dhe kemi qëndruar bashkë për një kohë të gjatë. Kontributi i dëshmorëve dhe invalidëve të luftës po vlerësohet sot”, tha Zeqir Peraj.

“Është emocionale, por kjo vepër nuk është vetëm e imja. Unë e falënderoj Beqir Thaqin, i cili ka kontribuar jashtëzakonisht shumë, sepse ne vepronim jashtë, ndërsa ai ishte këtu dhe mbante gjithë organizimin”, tha Xhevdet Thaqi, kryetar i degës së OVL-UÇK-së në Has.

Pllakat përkujtimore të familjeve Qenaj, Peraj dhe Thaqi u vendosën si simbol mirënjohjeje për kontributin e tyre, duke ruajtur kujtesën historike dhe duke përcjellë te brezat e rinj vlerat e sakrificës, atdhedashurisë dhe përkushtimit ndaj lirisë./RTK