Projeksionet e para: Zviceranët refuzojnë kufirin prej 10 milionë banorësh

Qytetarët zviceranë kanë hedhur poshtë iniciativën popullore “Jo një Zvicër me 10 milionë banorë”, e cila synonte vendosjen e një kufiri kushtetues për popullsinë e vendit. Sipas projeksioneve të para kombëtare të publikuara pas mbylljes së votimit, rreth 55% e votuesve kanë votuar kundër, ndërsa 45% në favor të nismës.

Instituti gfs.bern i ka dhënë fund pritjes: Parashikimet tregojnë se iniciativa e SVP-së “Jo Zvicër 10-Milionëshe!” nuk do ta kalojë pragun.

Iniciativa e propozuar nga partia SVP/UDC kërkonte që popullsia e përhershme e Zvicrës të mos kalonte 10 milionë banorë deri në vitin 2050.

Ajo parashihte masa kufizuese ndaj migracionit dhe, në rast nevoje, edhe rishikimin e marrëveshjes së lëvizjes së lirë me Bashkimin Evropian, transmeton albinfo.ch.

Kundërshtarët e nismës argumentuan se ekonomia zvicerane varet nga fuqia punëtore e huaj dhe se kufizimet e reja do të rrezikonin vende pune, sistemin shëndetësor dhe marrëdhëniet me BE-në. Qeveria federale, shumica e partive politike dhe organizatat ekonomike kishin bërë thirrje për refuzimin e propozimit.

Megjithëse debati për migracionin, mungesën e banesave dhe presionin mbi infrastrukturën mbetet i fortë në Zvicër, rezultati tregon se shumica e votuesve nuk mbështesin vendosjen e një tavani të rreptë për numrin e banorëve të vendit.