Britania ndalon anijen ruse në Kanal, mjeti lundrues “Smirtos” shkeli sanksionet ndaj Moskës

Forcat e armatosura britanike ndaluan të dielën në Kanalin anglez, anijen, Smirtos, që dyshohet se është pjesë e flotës në hije të Rusisë.

Kryeministri Keir Starmer tha se anija po transportonte naftë në shkelje të sanksioneve ndërkombëtare ndaj Moskës, që janë vendosur për shkak të luftës më shumë se katër vjeçare në Ukrainë.

Ministria britanike e Mbrojtjes e tha se ky ishte operacioni i parë i këtij lloji i udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar.

Anija do të mbahet dhe monitorohet në brigjet jugore të Anglisë për hetim, sipas një deklarate nga Ministria e Mbrojtjes. Operacioni u krye në koordinim të ngushtë me autoritetet franceze, të cilat më parë kanë kapur një numër anijesh të lidhura me flotën në hije.

Besohet se Rusia po përdor një flotë prej qindra anijesh që lundrojnë me flamuj të tjerë për të shmangur sanksionet për shkak të luftës së saj kundër Ukrainës.

Autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar thanë se operacione të tilla po godasin drejtpërdrejt burimet që mbështesin agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe po zvogëlojnë kapacitetin e saj për të kërcënuar sigurinë në të gjithë Evropën dhe më gjerë.