Kosova me deficit të lartë tregtar, ekspertët kërkojnë mbështetje për prodhuesit vendorë

Kosova po vazhdon të përballet me një deficit të lartë tregtar, i cili sipas të dhënave në mars të këtij viti ka arritur në 563.5 milionë euro. Njohës të ekonomisë vlerësojnë se kjo situatë është pasojë e varësisë së madhe nga importi dhe mungesës së politikave efektive për mbështetjen e prodhimit vendor.

Ekonomisti Lulzim Beqiri tha se niveli i lartë i importeve bie ndesh me deklarimet për rritje të fuqishme ekonomike dhe tregon mungesën e mbështetjes për prodhuesit vendorë.

“Po tash nëse bazohemi në deklaratat e institucioneve të Republikës së Kosovës që ka zhvillim të hatashëm ekonomik apo rritje ekonomike, kjo e demanton vetë fakti që ne shumicën e produkteve i importojmë. Për shembull rreth 1 miliard e 500 milionë euro, veç e përmenda pak më herët dhe kjo sigurisht që ka një mesazh tepër negativ sa i përket mbështetjes së prodhuesve vendorë. Shumicën e produkteve, edhe në ato fusha që Kosova mund të prodhojë, për shembull në aspektin e qumështit, mishrave, prodhimeve të tjera, i importon dhe kjo sigurisht përçon mesazh jo të mirë”, tha ai.

Sipas Beqirit, investimet e premtuara për prodhuesit vendorë nuk janë realizuar dhe mungojnë vendimet konkrete që do t’i ndihmonin bizneset vendore të përballen me konkurrencën e importeve.

“Edhe do të duhej që investimet e proklamuara gjatë fushatave zgjedhore të realizohen sepse janë premtuar mbi 1 miliard euro tek prodhuesit vendorë dhe kjo s’ka ndodhur. Më shumë po janë deklarata politike ose të fushatave sepse tashmë po shkojmë drejt e në zgjedhje, por nuk ka ndonjë vendim konkret që e ndihmon prodhuesin. Prodhuesi vendor, siç e keni parë prodhuesit e qumështit detyrohen me derdh qumështin, se s’kanë ku e distribuojnë, ndërsa importi është i jashtëzakonshëm sidomos prej vendeve si Sllovenia, e vendeve të Ballkanit që janë. Prandaj, konsideroj që do të duhej që të ketë politika konkrete, jo statistika të bukura sepse qytetarët e Kosovës janë lodh me statistika të bukura dhe kjo nuk e rrit as zhvillimin ekonomik, as nuk e ul importin, por sigurisht që më shumë është për konsum për shkak të zgjedhjeve që do të ndodhin në Kosovë“, tha ai.

Ndërkaq, ekonomisti Bashkim Mustafa për Ekonomia Online vlerëson se deficiti tregtar është rritur vazhdimisht në vitet e fundit, duke dëmtuar ekonominë prodhuese dhe mundësitë për krijimin e vendeve të reja të punës.

“Po fatkeqësisht viteve të fundit kemi një trend të rritjes së deficitit tregtar dhe fatkeqësisht në kurriz të ekonomisë vendore, domethënë edhe ekonomisë prodhuese, ekonomisë e cila gjeneron vende të reja të punës. Këtu ka vite të tëra që qeveria në detyrë aktualisht, që 6-7 vite domethënë, nuk i sheh si partneritet bizneset vendore dhe zhvillimin ekonomik të vendit, por i sheh si armiq të vendit dhe kjo po ndodh si rezultat i mungesës së gatishmërisë së qeverisë, veçanërisht kryeministrit të Republikës së Kosovës, me implementu politika të duhura, adekuate, të cilat e stimulojnë prodhimin vendor dhe njëkohësisht edhe stimulojnë edhe eksportin. Por kjo nuk po ndodh si rezultat i një mendësie mesjetare, një mendësie e cila bizneset nuk i sheh partner, por i sheh si armiq të vendit“, tha ai.

I pyetur se cilat do të duhej të ishin masat kryesore për uljen e deficitit tregtar, Mustafa theksoi nevojën për reforma fiskale dhe politika më mbështetëse për bizneset prodhuese.

“Hapat e parë, ndryshimi i politikave fiskale. Ka vite të tëra që nuk është bërë asnjë ndryshim i politikave fiskale. Domethënë të ndryshohen politikat fiskale, të krijohen politika të favorshme për stimulimin e bizneseve vendore që janë prodhuese dhe kanë tendencë eksporti. Fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur që po thuhet që në një dekadë, domethënë nuk ka ndodhur asnjë ndryshim i politikës fiskale. Të krijohen mundësi të reja të subvencionimit të eksporteve, prodhuesve të cilët kanë synim eksportet. Të krijohen politika të favorshme të përkrahjes së bizneseve vendore. Ne edhe vendimi më i dëmshëm i fundit është edhe te produktet e qumështit. Sa është stabilizuar kompanitë e prodhimeve të qumështit, me një vendim që është nxjerrë nga ministri në detyrë i bujqësisë, domethënë i ka vendos, ka vendos para aktit të kryer dhe po thuhet se të gjitha do të shkojnë në mbyllje të bizneseve. Domethënë asnjë sektor i veçantë nuk është stimuluar nga kjo qeveri që të rritet prodhimi vendor, që të rritet eksporti dhe që të shtohen vendet e reja të punës“, tha ai.

Mustafa vlerësoi se edhe bllokada institucionale dhe mungesa e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe bizneseve po ndikojnë negativisht në zhvillimin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e prodhuesve vendorë.

“Po krejt këta faktorë janë të cilët ndikojnë direkt ose indirekt në ekonominë prodhuese. Fatkeqësisht tendencat e kësaj qeverie, si me bashkëpunu, si mos me bashkëpunu, domethënë nuk ka pasur asnjëherë, nuk ka treguar të paktën gatishmëri që t’i përkrahë prodhimin vendor. Por gjithëherë ka përdorur një narrativë kundër prodhimit vendor, përkundër që është ardhur në pushtet me kauzën e mbrojtjes së produkteve vendore. Këta e kanë prishur edhe bashkëpunimin edhe të prodhuesve vendorë, por i kanë prishur edhe ato pak bashkëpunime që kanë qenë me tregjet ndërkombëtare duke e ngritur koston e prodhimit, si rezultat i ngritjes së çmimit të energjisë elektrike, kostos së produkteve, të derivateve të muajit të fundit që nuk është bërë asnjë stimulim, dhe është ngritur kosto edhe kompanitë vendore nuk mund të jenë konkurruese në raport me kompanitë e huaja“, tha Mustafa.

Në muajin mars 2026, tregtia e Kosovës vazhdoi të anojë drejt importit, duke krijuar një deficit prej 563,5 milionë euro.

Eksportet mbetën të ulëta e të udhëhequra nga metalet, ndërsa importi u dominua nga produktet minerale, makineritë dhe ushqimet. Vendet anëtare të BE-së dhe ato të CEFTA-s mbeten boshti i shkëmbimeve tregtare të Kosovës. /eo