Cakolli: Gara për dy mandate mbetet e hapur

Hulumtuesi nga Instituti Demokratik i Kosovës, Eugen Cakolli, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje mund të arrijë deri në 52 ulëse në Kuvendin e Kosovës, nëse trendi aktual i rezultateve nga votat me postë vazhdon deri në përfundim të procesit të numërimit.

Përmes një analize të publikuar lidhur me ecurinë e numërimit të votave nga diaspora, Cakolli ka vlerësuar se numri total i votave të vlefshme me postë pritet të arrijë në rreth 82 mijë e 500, nëse ritmi dhe përqindjet aktuale mbesin të pandryshuara deri në fund të procesit.

Sipas tij, rezultatet e deritanishme tregojnë dallime të dukshme mes mënyrës së votimit me postë dhe asaj të zhvilluar në ambasada dhe konsullata, çka po ndikon edhe në projeksionet për ndarjen e mandateve në Kuvend.

Ai ka theksuar se përbërja përfundimtare e Kuvendit ende nuk mund të konsiderohet e mbyllur, pasi gara për disa mandate vazhdon të mbetet e hapur mes subjekteve politike.

Procesi i numërimit të votave me postë po vazhdon, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të kenë ndikim të rëndësishëm në shpërndarjen e mandateve parlamentare dhe në konfigurimin e ardhshëm të Kuvendit të Kosovës.