Ariana Grande i kërkon administratës Trump të mos përdorë muzikën e saj për promovimin e politikave të emigracionit

Ylli amerikan i muzikës pop, Ariana Grande, i ka bërë thirrje administratës së presidentit Donald Trump që të ndalojë përdorimin e këngëve të saj për promovimin e politikave qeveritare.

Reagimi i këngëtares erdhi pasi Shtëpia e Bardhë publikoi së fundmi një video në TikTok që promovonte politikat e emigracionit të administratës Trump.

Videoja përfshinte pamje të agjentëve federalë duke arrestuar dhe vendosur pranga personave të ndryshëm, ndërsa në sfond dëgjohej kënga “Bye”, e publikuar nga Ariana Grande në vitin 2024.

Fituesja e çmimit Grammy reagoi menjëherë në seksionin e komenteve të videos, duke shprehur pakënaqësinë e saj për përdorimin e muzikës në një kontekst të tillë.

“Ju lutem, mos e përdorni kurrë muzikën time në lidhje me këto budallallëqe barbare, çnjerëzore dhe të neveritshme”, shkroi Grande në komentin e saj në TikTok.

Pas reagimit të artistes, kënga e saj u hoq nga videoja e publikuar nga Shtëpia e Bardhë.

Ndërkohë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Abigail Jackson, iu përgjigj deklaratës së Grande duke mbrojtur politikat e administratës.

“Do ta themi edhe një herë: ajo që është vërtet barbare, çnjerëzore dhe e neveritshme janë emigrantët ilegalë kriminalë që kanë plagosur dhe vrarë qytetarë të pafajshëm amerikanë”, deklaroi Jackson.

Kjo nuk është hera e parë që Ariana Grande kritikon Donald Trumpin dhe administratën e tij. Vitin e kaluar, këngëtarja dhe aktorja e nominuar për Oscar shpërndau një publikim në Instagram ku pyeste votuesit e Trumpit nëse jeta e tyre ishte përmirësuar që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë.

Trump, i cili po shërben mandatin e tij të dytë si president i SHBA-së, mbetet shumë aktiv në rrjetet sociale. Ekipi i tij i komunikimit publikon shpesh video të shkurtra të shoqëruara me këngë të njohura për të promovuar politikat dhe premtimet e tij elektorale.

Disa nga këto video kanë përdorur muzikë popullore për të ilustruar aksionet kundër emigracionit të paligjshëm, operacionet ushtarake amerikane kundër Iranit, si dhe arrestimin e ish-presidentit venezuelian Nicolás Maduro.