Presidenti i Shqipërisë viziton sonte Kosovën

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, do të qëndrojë sonte për një vizitë zyrtare njëditore në Kosovë.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, Begaj do të arrijë në vend përmes pikës kufitare në Vërmicë, ndërsa gjatë qëndrimit të tij do të zbatohen masa të veçanta sigurie dhe rregullimi të trafikut.

Policia ka bërë të ditur se do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe për menaxhimin e qarkullimit gjatë lëvizjes së eskortës presidenciale dhe aktiviteteve të parapara në agjendën zyrtare.

Për të mundësuar lëvizjen e lirë të eskortës, në intervale të shkurtra kohore do të ketë ndërprerje të përkohshme të trafikut në segmentet rrugore ku pritet të kalojë delegacioni shqiptar. Në raste të caktuara, trafiku mund të ridrejtohet në rrugë alternative.

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik për mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë kohës së vizitës së presidentit shqiptar. /Zëri