NATO-ja paralajmëron zvogëlim gradual të trupave të KFOR-it në Kosovë

NATO-ja ka njoftuar se do të nisë optimizimin e pranisë së misionit paqeruajtës KFOR në Kosovë, duke reduktuar gradualisht numrin e trupave gjatë vitit të ardhshëm, si rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë në vend.

Në një njoftim zyrtar, NATO-ja thekson se gjendja e sigurisë në Kosovë ka vazhduar të përmirësohet në vitet e fundit. Për këtë arsye, në janar të këtij viti aleanca ndërpreu dislokimin e forcave rezervë në kuadër të KFOR-it, pas më shumë se dy vjetësh rotacion të vazhdueshëm.

“NATO-ja do të optimizojë pozicionimin e KFOR-it në Kosovë dhe gradualisht do të përshtasë numrin aktual të trupave gjatë vitit të ardhshëm”, thuhet në njoftim.

Aleanca kujton se pas tensioneve dhe dhunës në vitin 2023, duke përfshirë sulmet ndaj paqeruajtësve të KFOR-it në Zveçan, misioni u përforcua me afro 1.000 ushtarë shtesë, duke shënuar përforcimin më të madh në më shumë se një dekadë.

Megjithatë, NATO-ja vlerëson se situata aktuale e sigurisë është e qëndrueshme, duke bërë të mundur përshtatjen e pranisë ushtarake pa cenuar mandatin e KFOR-it për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Komandanti suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, Alexus G. Grynkewich, tha se aleanca mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj sigurisë në Kosovë.

“Është pikërisht ky përkushtim që ka sjellë më shumë stabilitet, ndërsa institucionet e sigurisë në Kosovë janë bërë më të afta. Kushtet aktuale ofrojnë mundësi për të optimizuar më tej madhësinë dhe pozicionimin e KFOR-it”, deklaroi ai.

Grynkewichi ritheksoi gjithashtu angazhimin e NATO-s ndaj Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar rajonin me rëndësi strategjike për aleancën.

“NATO nuk do të lejojë krijimin e një vakuumi sigurie”, theksoi ai.

Sipas NATO-s, reduktimi i trupave do të bëhet në mënyrë graduale dhe në përputhje me zhvillimet në terren. Aleanca nënvizon se procesi mund të ndalet ose të përmbyset nëse situata e sigurisë e kërkon një gjë të tillë.

Në fund, NATO-ja përsëriti mbështetjen për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke u bërë thirrje të dyja palëve të angazhohen për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe arritjen e një marrëveshjeje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve. /Zëri