ATK-ja dhe Tatimet e Shqipërisë thellojnë bashkëpunimin për modernizimin e administrimit tatimor

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka pritur në një vizitë pune drejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të Shqipërisë, Ilir Binaj, i cili u takua me drejtorin e përgjithshëm të ATK-së, Mentor Hyseni, dhe stafin drejtues të Institucionit.

Sipas ATK-së, vizita u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet dy administratave tatimore, me fokus shkëmbimin e përvojave profesionale, praktikave më të mira dhe avancimin e proceseve të administrimit tatimor.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e të dy institucioneve diskutuan për çështje me rëndësi strategjike, përfshirë strategjinë e mbledhjes së të hyrave, komunikimin me tatimpaguesit, procedurat e mbledhjes me forcë, menaxhimin e detyrimeve të papaguara, si dhe praktikat që ndikojnë në rritjen e përmbushjes së obligimeve tatimore dhe efikasitetit administrativ.

Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve dhe theksoi rëndësinë e shkëmbimit të njohurive profesionale për adresimin e sfidave të përbashkëta.

“Bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet administratave tatimore të Kosovës dhe Shqipërisë është një element i rëndësishëm për modernizimin e proceseve të punës, rritjen e efikasitetit operacional dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për tatimpaguesit”, citohet të ketë thënë Hyseni.

Në anën tjetër, Ilir Binaj shprehu gatishmërinë për vazhdimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke vënë theksin te shkëmbimi i praktikave të suksesshme dhe koordinimi në fusha me interes të përbashkët.

Të dyja institucionet riafirmuan përkushtimin për forcimin e bashkëpunimit profesional, zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta dhe shkëmbimin e përvojave që synojnë rritjen e performancës institucionale, përmirësimin e përputhshmërisë tatimore dhe avancimin e reformave në administrimin tatimor. /Zëri