Hapet muzeu “Eksodi 99”, sjell rrëfime të dëbimeve masive gjatë luftës në Kosovë
Aty ku dikur nisi një nga kapitujt më të errët të historisë së Kosovës, tash është ngritur një vend kujtese.
Në Stacionin e Trenave në Prishtinë, në hapësirën prej nga mijëra shqiptarë u dëbuan me forcë gjatë luftës, është hapur Muzeu “Eksodi 99”.
Në qendër të tij qëndron një vagon treni, simbol i rrugëtimit të dhimbshëm të shqiptarëve që u larguan me dhunë nga shtëpitë e tyre në 1999-tën.
Produksionin e këtij projekti e realizoi drejtoresha e BIRN Kosova, Jeta Xharra.
“Saktësisht prej stacionit të Trenave, këtu janë paketu si sardina, qindra mijëra shqiptar, nëpër trena, kur janë harxhu vagonat e udhëtarëve, serbët kanë pru kamiona edhe vagona të mallrave, në njërën prej intervistave n aka tregu që kaa qenë pikërisht ky vagon…”, ka thënë Xharra.
Sipas Xharrës, qëllimi ishte që kjo pjesë e historisë të mos lihet në harresë.
“Nuk na shkon në mendje që 300 mijë njerëz janë nis prej Prishtinës, e masnej prej secilit stacion janë marre njerëz të tjerë, e më pas janë dërgu në Bllacë, kane ndejtë 7 ditë në shi deri sa ia kanë leju autoritetet maqedonase me kalu, të cilët janë sill shumë keq me ta…Është periudhë që ia vlen me u kujtu”, ka shtuar Xharra.
Ekspozita e cila përfshin 48 rrëfime, është ideuar nga kuratori Gazmend Ejupi.
“Normale që s’ka qenë e lehtë, për shkak se nuk është bë dicka e ngjashme më herët. Logjistika e sjelljes së vagonit në Prishtinë ka qenë ndër sfidat më të mëdha. Fatmirësisht kemi pas një kompani sigma që n aka përkrahë shumë mirë. S a I përket kontentit, janë mbi 40 intervista”, ka thënë Ejupi.
Brenda muzeut që tashmë është i hapur për secilin që është i interesuar, historitë janë të ndara në katër tema, dëbimi, jeta në kampet e refugjatëve, qëndrimi te familjet mikpritëse si dhe kthimi.