Konflikti në Lindje të Mesme, Banka Botërore paralajmëron rreziqe të reja

Konflikti në Lindjen e Mesme pritet të ulë ritmin e rritjes ekonomike globale në nivelin më të ulët që nga pandemia COVID-19, ndërsa çmimet e energjisë, inflacioni dhe kostot e huamarrjes vazhdojnë të rriten, thuhet në raportin më të fundit të Grupit të Bankës Botërore “Perspektivat Ekonomike Globale”.

Sipas raportit, ekonomia botërore pritet të rritet me 2.5 për qind gjatë vitit 2026, krahasuar me 2.9 për qind në vitin 2025.

Banka Botërore vlerëson se parashikimet ekonomike janë përkeqësuar për rreth dy të tretat e vendeve të botës, ndërsa rritja në ekonomitë në zhvillim po mbetet e dobët.
Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Ajay Banga, tha se vendet në zhvillim po përballen me sfida të shumta dhe kërkojnë mbështetje të menjëhershme.

“Ndikimi ndryshon sipas vendit, por testi bazë është i njëjtë: mbrojtja e njerëzve dhe ruajtja e stabilitetit sot, pa hequr dorë nga rritja ekonomike dhe vendet e punës nesër. Në përgjigje të tronditjes aktuale, ne po ofrojmë likuiditet aty ku është i nevojshëm tani dhe jemi të gatshëm me financim shtesë, garanci dhe zgjidhje për sektorin privat, nëse presionet thellohen”, deklaroi Banga.

Raporti thekson se mbyllja e Ngushticës së Hormuzit ka shkaktuar tronditje të mëdha në tregjet energjetike. Çmimi mesatar i naftës së papërpunuar Brent parashikohet të arrijë në 94 dollarë për fuçi gjatë vitit 2026, ose 36 për qind më shumë se një vit më parë. Njëkohësisht, pritet rritje e ndjeshme e çmimeve të plehrave kimike, me pasoja të drejtpërdrejta në çmimet e ushqimeve.

Si rezultat, inflacioni global parashikohet të rritet në 4.0 për qind këtë vit, nga 3.3 për qind sa ishte në vitin 2025.

Banka Botërore paralajmëron se situata mund të përkeqësohet më tej nëse furnizimi me energji pëson goditje më të rënda dhe tregjet financiare përballen me tensione shtesë. Në një skenar më negativ, rritja ekonomike globale mund të bjerë në vetëm 1.3 për qind gjatë vitit 2026, ndërsa inflacioni mund të ngjitet në 4.4 për qind.

Grupi i Bankës Botërore ka bërë të ditur se është i gatshëm të mobilizojë deri në 100 miliardë dollarë financim gjatë 15 muajve të ardhshëm për të mbështetur vendet e prekura nga kriza./rtk