Kuvendi konstatoi dorëheqjen e zëvendëskryeministrit Arben Fetai

Kuvendi në kuadër të seancës së sotme të 104-të ka konstatuar dorëheqjen e zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, Arben Fetai.

Fetai paraqiti dorëheqjen më 1 qershor të cilën e bëri të ditur nëpërmjet rrjeteve sociale. Fetai tha në postimin në Fejsbuk se largohet nga pozicioni me kokën lart dhe me ndërgjegje të pastër.

“Ky është një vendim i mirëmenduar, i marrë me bindjen se në rrethanat aktuale kjo është gjëja më e drejtë dhe më dinjitoze. Gjatë këtyre dy viteve kam pasur nderin dhe privilegjin t’i shërbej vendit, duke kontribuar në reforma që synojnë forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe shtetit të së drejtës, një mision sa i rëndësishëm aq edhe jofalenderues. A jam plotësisht i kënaqur me atë që kemi arritur? Sigurisht që jo. Gjithmonë ka hapësirë për më shumë, për më mirë dhe për më shpejt. Por a kam punuar me përkushtimin maksimal për të vendosur themele të shëndosha mbi të cilat mund të ndërtohet më tej? Pa asnjë mëdyshje, po”, shkroi Fetai.

Përveç dorëheqjes së Fetait, kuvendi në seancën e sotme përcaktoi nevojën për miratimin e disa ndryshimeve dhe plotësimeve ligjore.