Dogana zbulon 20 tonë mallra të skaduara në Mitrovicë

Dogana e Kosovës ka zbuluar afro 20 tonë produkte ushqimore me afat të skaduar, si dhe mungesë të konsiderueshme stoku gjatë një kontrolli të realizuar në një depo doganore të autorizuar në rajonin e Mitrovicës.

Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, kontrolli është zhvilluar në kuadër të mbikëqyrjes së rregullt të mallrave që ruhen nën kontroll doganor dhe verifikimit të respektimit të kushteve që rrjedhin nga autorizimet doganore.

“Pas analizimit të dokumentacionit dhe krahasimit të të dhënave elektronike me gjendjen faktike në depo, zyrtarët doganorë kanë konstatuar se një pjesë e mallrave të depozituara kishte tejkaluar afatin e përdorimit”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Bëhet fjalë për 19 mijë e 875 kilogramë produkt ushqimor me bazë yndyre bimore, për të cilin është konstatuar se afati i përdorimit kishte skaduar.

Menjëherë pas konstatimit, Dogana ka njoftuar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), zyrtarët e së cilës kanë dalë në vendin e ngjarjes për të verifikuar gjendjen e mallit.

“Zyrtarët e AUV-së kanë konfirmuar gjendjen e mallit dhe kanë urdhëruar asgjësimin e tij në përputhje me legjislacionin në fuqi”, theksohet në njoftim.