Erdogan: Sulmet izraelite ndaj Sirisë dhe Libanit kërcënojnë Turqinë
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se veprimet e Izraelit në Siri dhe Liban kanë pasoja për vendet e tjera, përfshirë Turqinë, raportoi agjencia shtetërore Anadolu.
“Siguria e Turqisë nuk fillon në Hataj, por në Alepo, Damask dhe Bejrut”, tha Erdogan, duke shtuar se Ankaraja nuk do të tolerojë “fakt të kryer” në vendet që i konsideron vëllazërore dhe as nuk do të mbyllë sytë ndaj agresionit.
Erdogan akuzoi Izraelin se udhëhiqet nga “iluzioni i Tokës së Premtuar” dhe paralajmëroi se nëse “banditët izraelitë” nuk ndalen, i gjithë rajoni dhe bota do të vuajnë pasojat, raporton Reuters.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u përgjigj duke e quajtur Erdoganin një “diktator antisemit” dhe “personin e fundit që mund t’i japë mësime morale Shtetit të Izraelit”. Ai tha se Izraeli do të “vazhdojë të veprojë fuqishëm kundër Iranit dhe aleatëve të tij”.
Turqia ka qenë prej kohësh një nga kritikët më të ashpër të luftërave të Izraelit në Gaza, Iran dhe Liban. Erdogan ndërpreu të gjitha tregtitë me Izraelin dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të marrë masa më të ashpra kundër vendit.