Pezullohen hetimet ndaj Radoiçiqit dhe 10 të tjerëve, aktakuzë ndaj gjashtë të dyshuarve të tjerë për barrikadat në veri

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë serbëve, të cilët dyshohen për veprat penale “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit D.M., D.D., M.R., N.J., N.O. dhe S.V. akuzohen se, në periudhën nga 10 deri më 29 dhjetor 2022, në komunat veriore të Kosovës, kanë vepruar në bashkëkryerje për të penguar institucionet e Kosovës në ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe vendosjen e rendit kushtetues.

Aktakuza thotë se të pandehurit, përmes përdorimit të forcës dhe dhunës, kanë organizuar dhe vendosur barrikada në rrugët kryesore, duke përdorur mjete të rënda, përfshirë kamionë të mbushur me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera.

Sipas Prokurorisë, nga veprimet e tyre rezulton se, në rast të ndërhyrjes së Policisë së Kosovës për largimin e barrikadave dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes, pjesëtarët e grupit kanë qenë të gatshëm të sulmonin zyrtarët policorë me mjetet që kishin në dispozicion.

Ndërkohë, hetimet ndaj 11 personave të tjerë janë pezulluar përkohësisht, pasi ata ende nuk janë të arritshëm për organet e ndjekjes. Bëhet fjalë për të dyshuarit M.R., A.S., A.F., A.J., R.S., S.A., D.V., S.P., V.R. dhe dy persona të tjerë me inicialet M.R.

Barrikadat ishin ngritur pas arrestimit të ish-policit, Dejan Pantiq. Pantiqi qe arrestuar pasi ka organizuar sulmin ndaj zyrave të komisioneve komunale zgjedhore në veri. Ishte dënuar me dy vjet burgim në vitin 2025.

Çfarë kishte ndodhur dhjetorin e vitit 2022 në veri?

Më 6 dhjetor të vitit 2022, në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut ishin hedhur dy mjete shpërthyese, por vetëm njëra kishte shpërthyer.

Zyrtarët zgjedhorë në atë kohë po organizonin mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, pas tërheqjes së kryetarëve serbë në katër komunat në veri, që vinin nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – në shenjë pakënaqësie ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS – Republika e Kosovës. Për shkak të tensioneve, votimet u shtyn për prillin e vitit pasues.

Për shkak të sulmit ndaj zyrave të KQZ-së, autoritetet kishin arrestuar ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, më 9 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës, e cila e lidh Kosovën me Serbinë.

Arrestimi i tij rriti edhe më shumë tensionet, me serbët lokalë që më pas ngritën barrikada.

Në atë kohë, Serbia kishte vendosur në gatishmëri ushtrinë dhe kishte rritur praninë ushtarake në vijën kufitare me Kosovën, përkatësisht në Rashkë të Serbisë.

Barrikadat ishin larguar më 29 dhjetor, pas ndryshimit të masës së sigurisë së Pantiqit nga paraburgim në arrest shtëpiak.

Për sulmin ndaj zyrave të KQZ-së, më 2025 janë dënuar me gjithsej 12 vjet burgim tre persona, përfshirë edhe ish-polici i Kosovës, Dejan Pantiq.