BE-ja propozon paketën e re të sanksioneve ndaj Rusisë

Bashkimi Evropian ka propozuar një raund të ri sanksionesh ndaj Rusisë, duke synuar shitjet e naftës, “flotën e fshehtë”, bankat, kompanitë e kriptovalutave, metalet, produktet e peshkut si dhe ushtarët që kanë marrë pjesë në pushtimin e plotë të Ukrainës.

Propozimi, i prezantuar të martën nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vjen në një kohë kur aleatët e Kievit po shqyrtojnë mënyra të reja për të ringjallur procesin e ngecur të paqes dhe për të detyruar Kremlinin të pranojë një armëpushim si parakusht për negociata.

“Rusia ka dështuar qartë ta nënshtrrojë Ukrainën. Çmimi që po paguan Rusia është gjithnjë e më i rëndë dhe paguhet kryesisht nga populli rus”, tha von der Leyen.

“Prandaj objektivi i paketës sonë është i qartë: duam të ruajmë intensitetin e plotë të sanksioneve tona.”

Elementi kryesor ka të bëjë me kufirin e çmimit të naftës ruse që BE, në bashkëpunim me G7 dhe Australinë, e ka vendosur që nga dhjetori 2022. Vitin e kaluar, mekanizmi u bë dinamik, me kufirin e vendosur 15% nën çmimin mesatar.

Megjithatë, ndërprerjet e shkaktuara nga bllokada në Ngushticën e Hormuzit kanë rritur çmimin e naftës ruse Urals në 87 dollarë për fuçi, krahasuar me 58 dollarë për fuçi në shkurt.

Kjo do të thotë se nëse BE vazhdon me rishikimin e planifikuar më 15 korrik, kufiri do të rregullohej lart dhe si rezultat do t’i jepte Moskës lehtësimin e përkohshëm që kërkon.

Komisioni propozon që rishikimi të shtyhet deri në janar 2027 dhe kufiri i çmimit të mbetet në nivelin aktual prej 44.10 dollarë për fuçi.

Mekanizmi i rregullimit “nuk është bërë për goditje të tregut si ajo e shkaktuar nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit”, tha von der Leyen.

Pushimi deri në janar, shtoi ajo, “do t’u japë tregjeve të naftës kohë të stabilizohen, duke ruajtur presionin mbi të ardhurat e Rusisë”.

Më herët këtë vit, von der Leyen kishte paraqitur një plan për ndalimin e plotë të të gjitha shërbimeve detare, si bankimi, sigurimet, transporti dhe regjistrimi i anijeve. Nisma, e mbështetur nga vendet nordike dhe baltike, humbi mbështetjen pas konfliktit në Lindjen e Mesme.

Greqia dhe Malta, dy shtete bregdetare të BE-së që ofrojnë shërbime për tankerat rusë, shprehën kundërshtim dhe deklaruan se nuk do të ecin përpara pa mbështetjen e G7. Edhe aleatët e tjerë të G7 treguan pak entuziazëm dhe plani u bllokua.

Duke zhvendosur fokusin te kufiri i çmimit, Komisioni në fakt pranon se ndalimi i plotë nuk do të ndodhë së shpejti. Një samit i G7 është planifikuar javën e ardhshme në Francë, ku Von der Leyen pritet të diskutojë sanksionet.

Përveç kësaj, Komisioni propozon që të futen në listën e zezë 30 anije të “flotës së fshehtë” që Moska përdor për të shmangur kufizimet. Tankerët e naftës janë në gjendje të keqe dhe konsiderohen rrezik për sigurinë dhe mjedisin në Evropë.

Më shumë se 600 anije të tilla tashmë janë ndaluar të përdorin portet dhe shërbimet e BE-së.

Po ashtu, do të futen në listën e zezë edhe anije dhe infrastrukturë tjetër, si porte dhe rafineri, që ndihmojnë aktivitetet e “flotës së fshehtë”, tha von der Leyen.

Paketa e projektuar synon 31 banka ruse, si dhe 20 kompani, platforma dhe tregtarë kriptovalutash jashtë Rusisë, të akuzuar për ndihmë në shmangien e kufizimeve.

Ajo parashikon gjithashtu ndalimin e eksportit të metaleve të ndryshme, lidhjeve dhe komponentëve të përdorur në sektorin e mbrojtjes, si dhe për herë të parë ndalimin e importit të disa produkteve të peshkut nga Rusia.

Eksportet evropiane të aluminit duket se janë përjashtuar nga paketa, pavarësisht një polemike në lidhje me një fabrikë në Irlandën perëndimore të akuzuar se ndihmon indirekt prodhimin e armëve ruse.

Një element i veçantë është ndalimi i hyrjes në zonën Shengen për ushtarët rusë që kanë marrë pjesë në luftën e agresionit, një nismë e propozuar nga Estonia dhe e mbështetur nga disa vende të tjera.

“Evropa mbetet e ndaluar për këdo që ka marrë pjesë në pushtimin e Ukrainës, aq e thjeshtë sa kjo”, tha von der Leyen.

Miratimi i sanksioneve kërkon unanimitet nga 27 shtetet anëtare. Nëse miratohet, kjo do të përbëjë paketën e 21-të të kufizimeve që nga shkurti 2022.

Zyrtarët në Bruksel shpresojnë që miratimi të arrihet para 15 korrikut për të shmangur rishikimin automatik të kufirit të çmimit.

Deklarata e von der Leyen vjen në një kohë kur Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj qyteteve ukrainase, duke shkaktuar reagime të forta në Evropë. Shenja të fundit të presionit mbi ekonominë ruse kanë forcuar më tej thirrjet për sanksione.

“Sanksionet tona po godasin fort dhe thellë,” tha von der Leyen. “Ato po dobësojnë bazat ekonomike të luftës së Rusisë.”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka propozuar një takim ballë për ballë me presidentin rus Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës. Negociatat, sipas Zelenskyy, duhet të bazohen në vijën aktuale të kontaktit dhe të kushtëzohen me një armëpushim.

Të dielën, liderët e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar mbështetën idenë e Zelenskyy-t “me pjesëmarrje aktive të SHBA-së dhe Evropës”. /Euro News