Pas dy ditësh gjenden dy turistët gjermanë, humbën kontaktet në një zonë malore në Shqipëri

Dy turistë gjermanë që kanë vizituar Shqipërinë janë gjetur nga autoritetet shqiptare pas 27 orësh që kur ishin raportuar të zhdukur në një zonë malore në Shqipëri.

Operacioni i kërkim-shpëtimit kishte nisur pasi dy turistët kishin humbur kontaktet në malet e Polisit.

Turistët janë gjetur këtë të martë shëndoshë e mirë në zonën e Stravajt, pas një operacioni intensiv të zhvilluar nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe ekipet e kërkim-shpëtimit.

Sipas mediave në Shqipëri, turistet pasi kanë pasur probleme me makinën, e kanë braktisur mjetin dhe në këmbë kanë arritur deri në një rrugë ku kanë hasur një furgon që kalonte rastësisht.

Sipas informacioneve paraprake, dy turistët kishin mbetur të bllokuar pranë malit të Gaferrit, në zonën e Sopotit, pasi automjeti me të cilin udhëtonin kishte pësuar defekt në një rrugë të thellë malore.

Për shkak të mungesës së sinjalit telefonik, ata nuk kanë mundur të komunikojnë me familjarët apo autoritetet.

Pas kërkimeve në terrenin e vështirë malor, ekipet arritën t’i lokalizonin dy shtetasit gjermanë pranë automjetit të dëmtuar.

Sipas autoriteteve, ata ndodheshin në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kishin nevojë për ndihmë mjekësore.