Babai i 34-vjeçarit të vdekur në Prizren: Asnjë ngushëllim e as kërkimfalje nga familja e të akuzuarit

Kanë folur babai i viktimës, Sherif Osmani, dhe avokati Gent Gjini, lidhur me rastin e aksidentit tragjik në Prizren ku humbi jetën 34-vjeçari Ilaz Osmani si pasojë e goditjes nga vetura deri sa po kalonte në vijat e bardha për kalimtarë.

Sherif Osmani tha se, pavarësisht kohës së kaluar nga ngjarja, familja e të akuzuarit nuk ka kontaktuar asnjëherë me ta për të shprehur ngushëllime apo për të kërkuar falje.

“Deri më sot nuk kemi marrë asnjë ngushëllim dhe asnjë kërkimfalje nga familja e të akuzuarit”, u shpreh ai në T7.

Ndërkohë, avokati Gent Gjini ngriti dyshime mbi ekspertizën e kryer për rastin, duke kundërshtuar pretendimin se automjeti po lëvizte me shpejtësi 75 kilometra në orë në momentin e aksidentit. Sipas tij, ekspertiza nuk është realizuar në mënyrë profesionale dhe mbrojtja do t’i paraqesë kundërshtimet e saj në seancën gjyqësore.

Rasti po trajtohet në Gjykatën Themelore në Prizren, ndërsa seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit u mbajtë sot.