Kusari: Kosova ka më pak burokraci për investime se sa vendet e BE-së
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari – Lila ka përmendur specifikat se pse Kosova është një nga vendet e favorshme për investime ekonomike për biznes.
Ajo në diskutimin “Roli i Kosovës në Konsolidimin e sektorëve të ndryshëm ekonomik në rajonin e Forumit - nga Adriatiku deri në Detin e Zi dhe më gjerë”, në Forumin Ekonomik në Vjenë tha se pavarësisht që Kosova ende po punon drejt zhvillimit të saj, sërish ka kushtet më të favorshme sesa disa vende në BE për të pranuar investime të reja.
“Mund ta them një gjë me siguri: kemi më pak burokraci dhe kohë më të shkurtër krahasuar me të gjitha vendet e BE-së në nxjerrjen e licencave dhe në hapjen e bizneseve. Janë disa sektorë ku ende duhet të punojmë më shpejt sapo të krijohet qeveria, siç është sektori minierar”, tha ajo.
Kusari – Lila tha se Kosova është afër “një zgjerimi të rëndësishëm dhe të madh brenda kompanive të BE-së”.
“Gjeopolitika në fusha të caktuara natyrisht që nuk po na ndihmon sepse po krijon kriza. Por, duke parë që të mos lejojmë që këto kriza të shkojnë dëm, shohim se gjeopolitika e krizave të Lindjes së Mesme po bën që kompanitë e mëdha të shikojnë t'i afrojnë shërbimet më afër vendeve të tyre. Prandaj, shohim se Kosova është një mundësi e mirë për të ardhur aty, për të qenë të sigurt dhe për të krijuar profit, sepse kjo është arsyeja pse vijnë aty në fund të fundit”, tha ajo.