Dogana e Kosovës zbulon mbi 30 mijë euro të padeklaruara në pikën kufitare Bërnjak

Në pikën kufitare Bërnjak, gjatë kontrolleve rutinore në dalje të territorit të Kosovës, zyrtarët doganorë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë zbuluar mjete monetare të padeklaruara në një automjet me targa të huaja të drejtuar nga shtetas të huaj.

Sipas njoftimit zyrtar, automjeti është përzgjedhur për kontroll të detajuar pasi gjatë intervistimit fillestar personat kanë deklaruar se nuk posedonin mallra apo mjete monetare për deklarim.

Gjatë kontrollit të brendshëm të automjetit, përfshirë bagazhin dhe një çantë personale, janë gjetur para në dy valuta, të cilat nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore.

Pas verifikimit, është konstatuar se shuma e përgjithshme e mjeteve monetare të gjetura tejkalon kufirin ligjor prej 10 mijë eurosh, i cili obligon deklarimin e detyrueshëm në kufi.

Sipas Doganës së Kosovës, në çantën personale janë gjetur:

25.515 euro

565.060 dinarë serbë (rreth 4.813 euro)

Vlera totale e parave të padeklaruara është llogaritur në 30.328 euro.

Në përputhje me legjislacionin në fuqi, autoritetet kanë ndërmarrë masa administrative, ku 25 për qind e shumës është konfiskuar, ndërsa 75 për qind është ndaluar përkohësisht deri në verifikimin e burimit dhe ligjshmërisë së mjeteve financiare.

Rasti është referuar për trajtim të mëtejmë nga sektori kompetent i hetimeve.

Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe në luftimin e aktiviteteve të paligjshme financiare, përfshirë pastrimin e parave dhe financimin e aktiviteteve kriminale, me qëllim të mbrojtjes së integritetit financiar të vendit. /Zëri