Katy Perry do të këndojë në “Sunny Hill Festival”, por duket se nuk e “njeh” Kosovën si shtet

Ylli botëror i muzikës pop, Katy Perry, është konfirmuar si një nga emrat kryesorë që do të performojë këtë verë në Sunny Hill Festival në Prishtinë.

Megjithatë, një detaj në njoftimin e artistes për turneun e saj veror ka tërhequr vëmendjen e fansave dhe përdoruesve në rrjetet sociale. Në listën e datave të publikuara në faqen zyrtare dhe materialet promovuese të turneut, shumica e destinacioneve janë shënuar me emrin e shtetit përkatës, ndërsa ndalesa në Sunny Hill Festival është prezantuar vetëm si “Pristina”, pa u përmendur shteti i Kosovës, shkruan Zeri.info.

Katy Perry pritet të ngjitet në skenën e Sunny Hill Festival, në një nga paraqitjet më të mëdha ndërkombëtare të festivalit të themeluar nga Dua Lipa dhe Dukagjin Lipa. Festivali ndërkohë prezantohet ndërkombëtarisht si ngjarje që mbahet në Prishtinë, Kosovë.

Në materialet promovuese të publikuara nga organizatorët dhe media të ndryshme ndërkombëtare, festivali identifikohet qartë si festival në Kosovë, ndërsa në njoftimin e turneut të artistes është përdorur vetëm emri i kryeqytetit.

Në të gjitha datat e tjera të festivaleve dhe parqaitjeve që do t’i ketë artistja këtë verë, i ka prezantuar me emra të shteteve, ndërsa për Sunny Hill ka shkruar vetem “Pristina”. /Zëri