DnV: Zgjedhjet e 7 qershorit u zhvilluan sipas standardeve demokratike, por u shënua rënie e pjesëmarrjes

Organizata Demokracia në Veprim (DnV) ka vlerësuar se zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit janë zhvilluar në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira, konkurruese dhe të qeta, ndërsa procesi është administruar në mënyrë profesionale dhe efikase.

Duke prezantuar Deklaratën Preliminare për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, Eugen Cakolli nga DnV-ja tha se votuesit kanë pasur mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në mënyrë të lirë dhe të barabartë, pavarësisht se vendi ka kaluar nëpër një periudhë të pazakontë politike dhe institucionale.

“Demokracia në Veprim vlerëson që zgjedhjet e 7 qershorit janë zhvilluar në përputhje me standardet demokratike për zgjedhjet e lira, konkurruese dhe të qeta”, deklaroi Cakolli.

Sipas tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shënuar progres të dukshëm në administrimin e procesit zgjedhor, duke shmangur përplasjet dhe polarizimin e brendshëm që kishin karakterizuar proceset e mëparshme.

Megjithatë, DnV-ja ka evidentuar një rënie të interesimit qytetar për pjesëmarrje në votime. Cakolli tha se si fushata, ashtu edhe dita e zgjedhjeve, janë karakterizuar nga lodhja e elektoratit dhe riciklimi i ofertave politike, duke sjellë një nga daljet më të ulëta në zgjedhje gjatë dekadës së fundit.

Sa i përket votimit jashtë vendit, DnV-ja vlerësoi se procesi është zhvilluar pa probleme serioze. Sipas të dhënave të prezantuara, mbi 131 mijë votues janë regjistruar me sukses për votim, ndërsa rreth 85 mijë prej tyre kanë dërguar tashmë pakot me vota përmes postës. Pjesëmarrja në votimin fizik në përfaqësitë diplomatike ka qenë rreth 82 për qind.

Në raportin preliminar, DnV-ja vlerëson se fushata zgjedhore është zhvilluar në një ambient të qetë dhe konkurrues, por thekson se çështja e barazisë së garës mbetet problematike.

Sipas organizatës, vendimet e qeverisë në detyrë për ndarjen e mjeteve financiare për kategori të ndryshme të qytetarëve, si studentët, punëtorët e sektorit privat, pensionistët dhe familjet, kanë krijuar avantazh ndaj subjekteve të tjera politike. DnV-ja kritikon gjithashtu vendimin për subvencionimin e linjave ajrore për mërgimtarët pak ditë para zgjedhjeve, duke e cilësuar si cenim të parimit të barazisë në garë.

DnV-ja vlerësoi se mediat kanë luajtur rol të rëndësishëm në informimin e qytetarëve, megjithëse raportimi është fokusuar më shumë në dinamikat politike dhe retorikën zgjedhore sesa në analizën e programeve konkrete të partive.

Organizata e konsideron ditën e zgjedhjeve si një ndër më të rregulltat në historinë e re të Kosovës, me numër të ulët incidentesh dhe përmirësim të dukshëm të mangësive të evidentuara në proceset e kaluara.

Një prej zhvillimeve më pozitive, sipas DnV-së, ishte ulja drastike e numrit të votuesve që kanë votuar me asistencë. Cakolli tha se zbatimi më rigoroz i rregullave zgjedhore ka ndikuar në reduktimin pothuajse të plotë të rasteve të tilla.

Ndërkohë, DnV-ja ka angazhuar 100 vëzhgues për monitorimin e procesit të numërimit në qendrat komunale. Organizata njoftoi se procesi ka qenë kryesisht i rregullt, megjithëse janë evidentuar probleme teknike të përsëritura që lidhen me ndërprerjet e internetit dhe mosfunksionimin e pajisjeve.

Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar gjithashtu mospërputhje mes fletëvotimeve të shfaqura në ekran dhe atyre të procesuara në sistem në 5,2 për qind të tavolinave të numërimit në nivel vendi. Në shtatë raste, dallimet e evidentuara kanë qenë më të mëdha se pesë vota brenda të njëjtit vendvotim.