Shqipëria uron Kosovën për zgjedhjet, Hoxha: Presim formimin e institucioneve të reja

Ministri i Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka uruar Kosovën pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, duke vlerësuar pjekurinë demokratike dhe përgjegjshmërinë e treguar gjatë procesit zgjedhor.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha përgëzoi qytetarët, institucionet përgjegjëse dhe subjektet politike pjesëmarrëse për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

“Urime Republikës së Kosovës, qytetarëve të saj, institucioneve përgjegjëse për organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor, si dhe të gjitha subjekteve politike pjesëmarrëse, për pjekurinë demokratike dhe përgjegjshmërinë e treguar gjatë zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare”, shkroi ai.

Hoxha theksoi se Shqipëria pret me interes formimin e institucioneve të reja që dalin nga vullneti i qytetarëve, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy vendeve.

“Ne presim me shumë interes formimin e institucioneve të reja që burojnë nga vullneti i zgjedhësve, për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë, forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona të gjithanshme në të mirë të interesave tona reciproke dhe të përbashkëta, si dhe për avancimin në rrugëtimin drejt së ardhmes sonë të përbashkët evropiane dhe euroatlantike”, shkroi ministri shqiptar.