Kërkohet bashkëpunim politik për formimin e institucioneve
Nga zgjedhjet e 7 qershorit pritet edhe formimi i institucioneve të Republikës së Kosovës. Me përqindje, më afër numrave është Lëvizja Vetëvendosje por njohësit e politikës thonë se duhet një koalicion bashkëpunues që vendi të mos ketë zgjedhje edhe njëherë. Sipas tyre, me këtë trend të daljes së votuesve as partitë nuk janë të gatshëm për zgjedhje të reja.
Për tri palë zgjedhje, dolën të parët.
Kësisoj, Lëvizja Vetëvendosje në ekzekutiv ishte në qeveritë "Kurti 1", 2 dhe 3.
E si fituese të zgjedhjeve dolën edhe më 7 qershor.
Por këtë herë, ky subjekt politik nga 51.1 ra në 42.94 %.
Prandaj, njohësit e çështjeve politike në vend, thonë se këtë herë LVV, për formimin e qeverisë së re, duhet të bashkëpunoj me partitë e tjera.
E këtë sinjal, sipas Artan Nimanit e dha kryeministri në detyrë, Albin Kurti në fjalimin e fitores të dielën mbrëma.
“Mendoj që i takon partisë së parë që të krijoj institucionet. Unë e dëgjova me shumë kujdes deklaratën e zotëri Kurtit mbrëmë, ishte shumë më i kujdesshëm dhe bëri thirrje që të ketë mundësi për bashkëpunim me forcat e tjera opozitare, unë pres që shumë shpejt të krijohen institucionet, do të doja që opozita të bashkohej që të kemi një Qeveri të opozitës, apo të themi të gjithë partivebashë pasi që tash kryetari i Kuvendit i takon Vetëvendosjes pastaj për president të negociohet por Qeverinë të drejoj opozita, por ta shohim a do të ketë harmonizim të qëndrimeve opozitare që të kenë një kandidat”, ka thënë Nimani për Teve1.
Se vendi ka nevojë për stabilitet politik, e thotë edhe analistja, Pranvera Ejupi-Hajzeraj.
“Mendoj që kësaj here ka me qenë shumë mirë, ka me qenë një rast shumë i mirë që partitë mos te kenë vija të kuqe. Kemi pa që gjuha ka qenë e moderuar nga të gjitha partitë dmth kanë hapur rrugë për një bashkëpunim. Partia që ka qenë kushtimit më e ashpra zotëri Kurti edhe ata i kanë ulë tonet”, theksoj Ejupi-Hajzeraj.
Ejupi-Hajzeraj, thotë se letrat e Kurtit për bashkëpunim, mund të shkojnë sërish në zyrat e LDK-së.
“Nuk mendoj që zotëri Kurti do të lenë aq gjatë, dhe do të krijon një koalicion, ai ka shpreh edhe më përpara dhe sa kanë qenë ato të sinqerta është për të diskutim mirëpo gjithmonë i ka ofru Lidhjes Demokratike të Kosovës një bashkëpunim, pra ta shohim se çka ka me qenë potez sikur shah i ardhshëm i partive e sidomos prej zotëri Kurtit”, ka përfunduar Ejupi-Hajzeraj.
Ndryshe, vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme parlamentare, me që parti politike dështuan ta zgjedhin presidentin e ri të vendit.