Policia: Procesi zgjedhor u zhvillua i qetë, 17 raste penale dhe 5 të ndaluar

Policia e Kosovës ka vlerësuar se procesi i sotëm zgjedhor është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe të sigurt, pa incidente madhore që do të mund të cenonin rrjedhën e votimit.

Sipas njoftimit zyrtar, veprimet policore janë realizuar në përputhje të plotë me planin operativ dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet relevante, duke përfshirë Prokurorinë e Shtetit.

Policia ka bërë të ditur se në kuadër të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor janë angazhuar rreth 6,300 zyrtarë policorë, 720 automjete dhe rreth 320 patrulla reaguese, përfshirë njësi të ndryshme operative, hetimore, kufitare dhe speciale.

Gjatë ditës së zgjedhjeve janë iniciuar gjithsej 17 raste penale që lidhen me procesin zgjedhor, përfshirë veprat:

cenim i fshehtësisë së votimit

asgjësim i dokumenteve të votimit

keqpërdorim i të drejtës së votimit

dhënie ose marrje ryshfeti në lidhje me votimin

Në lidhje me këto raste, 5 persona të dyshuar janë dërguar në mbajtje.

Policia ka bërë të ditur se ka pranuar dhe trajtuar gjithsej 53 informata, të cilat pas vlerësimit nuk kanë rezultuar me elemente për procedim të mëtejshëm penal.

Në fund të njoftimit, Policia e Kosovës thekson se ka vepruar me profesionalizëm dhe paanshmëri në trajtimin e të gjitha raportimeve, duke vlerësuar se procesi zgjedhor është karakterizuar nga rendi, qetësia dhe stabiliteti.

Po ashtu, institucionet e sigurisë kanë shprehur mirënjohje për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe për sjelljen e qytetarëve gjatë ditës së votimit./Zëri