Hamza: Kosova zhvilloi një proces dinjitoz, tani është koha të ruhet vullneti i qytetarëve
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka falënderuar qytetarët e Kosovës për pjesëmarrjen dhe sjelljen e tyre dinjitoze gjatë procesit zgjedhor të së dielës, duke vlerësuar kulturën demokratike dhe përgjegjësinë qytetare të treguar në mbarë vendin.
Hamza theksoi se qytetarët dëshmuan edhe një herë besimin e tyre në fuqinë e votës dhe në të drejtën demokratike për të vendosur për të ardhmen e Kosovës.
“Qytetarët e Kosovës treguan edhe një herë qytetari, përgjegjësi dhe kulturë demokratike. Në një proces të qetë e dinjitoz, ata dëshmuan se besojnë në fuqinë e votës dhe në të drejtën për të vendosur për të ardhmen e vendit tonë”, deklaroi Hamza.
Ai shprehu mirënjohje për institucionet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, komisionerët, vëzhguesit, mediat dhe forcat e rendit për angazhimin e tyre në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Kryetari i PDK-së theksoi se në këtë fazë prioritet mbetet ruajtja e integritetit të procesit dhe respektimi i plotë i vullnetit qytetar, duke bërë thirrje që çdo votë të numërohet me kujdes dhe transparencë.
“Demokracia nuk përfundon me hedhjen e votës në kuti, por vazhdon edhe me respektimin e saj. Le të kujdesemi së bashku që çdo votë e qytetarëve të ruhet dhe të mbrohet deri në fund”, u shpreh Hamza.
Në fund, ai falënderoi të gjithë qytetarët për kontributin e tyre në një ditë të rëndësishme për demokracinë e Kosovës, duke theksuar se besimi në proceset demokratike është themeli i stabilitetit institucional dhe zhvillimit të vendit.