Elbasani nderon futbollistin kosovar Fatjon Bunjaku të AF Elbasanit, që humbi jetën në aksident
Mbrëmjen e kësaj të diele qindra tifozë, sportistë, miq dhe qytetarë elbasanas u mblodhën në hyrjen kryesore të stadiumit “Elbasan Arena” për të nderuar kujtimin e Fatjon Bunjakut, futbollistit të ri që humbi jetën tragjikisht, duke lënë pas dhimbje të madhe në familjen e tij dhe në gjithë komunitetin sportiv.
Në një atmosferë të mbushur me dhimbje, trishtim, respekt dhe heshtje, Elbasani tregoi anën më njerëzore të sportit.
Të bashkuar nga dashuria për futbollin dhe nga vlerësimi për Fatjonin, të pranishmit ndezën drita kujtese dhe ndanë momente reflektimi për një djalë që jetoi me pasion për lojën dhe që la gjurmë te të gjithë ata që e njohën.
Fatjon Bunjaku do të kujtohet jo vetëm si një futbollist i talentuar, por edhe si një njeri i buzëqeshur, pozitiv dhe i përkushtuar, i cili fitoi respektin e shokëve, trajnerëve dhe tifozëve kudo ku luajti.
Ky homazh ishte më shumë se një ceremoni përkujtimore. Ishte një dëshmi se futbolli është një familje e madhe, që di të qëndrojë e bashkuar në momentet më të vështira.
Humbja e Fatjonit ka prekur zemrat e të gjithëve, por kujtimi i tij do të mbetet gjithmonë i gjallë në fushat ku luajti, në tribunat që e duartrokitën dhe në zemrat e atyre që e deshën.
Drejtori Sportiv i AF Elbasanit ,Elton Guranjaku, futbollisti Xhonatan Lajthia, deputeti Adi Qose dhe të tjerë përcollën mesazhe të ndjera gjatë kësaj ceremonie nderimi.
U prehsh në paqe, Fatjon Bunjaku. Kujtimi yt do të jetojë përgjithmonë.