Votimi drejt fundit, Osmani fton qytetarët të dalin për të votuar
Kandidatja për presidente nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, një orë para përfundimit të procesit të votimit ka ftuar qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës.
Në një videomesazh të publikuar në Facebook, ajo theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje, duke e cilësuar votën si një mjet vendimtar për zhvillimet në vend.
“Shpresoj që ta shfrytëzoni këtë të drejtë demokratike, sepse sa më shumë që ju shkoni tek kutitë e votimit dhe e shprehni qëndrimin tuaj rreth zhvillimeve në vend, aq më shumë do të jeni pjesëmarrës në vendimmarrje për procese shumë jetike për vendin tonë. Është vetëm vota juaj ajo e cila mund ta nxjerrë vendin nga kriza dhe nga bllokadat e njëpasnjëshme. Prandaj shpresoj shumë që sa më shumë prej jush, qytetarë të dashur, do të dilni dhe do të votoni”, deklaroi Osmani.