DnV: Dalje e ulët e qytetarëve në votime, 10% më e ulët se në zgjedhjet e vitit 2025

Koalicioni i organizatave për monitorimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim (DnV), ka bërë të ditur se interesimi i qytetarëve për të votuar në zgjedhjet e së dielës ka qenë dukshëm më i ulët, krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Sipas të dhënave të vëzhguesve të DnV-së, deri në orën 17:00 pjesëmarrja në votime ishte rreth 29 për qind, ndërsa në të njëjtën kohë gjatë dy proceseve zgjedhore parlamentare të mbajtura në vitin 2025 kishte qenë rreth 39 për qind, ose 10 për qind më e lartë.

Komunat me shumicë serbe kanë shënuar daljen më të lartë në votime me 42 për qind, ndërsa rajoni i Prishtinës renditet i dyti me 33 për qind. Në anën tjetër, pjesëmarrja më e ulët është regjistruar në rajonet e Gjakovës dhe Prizrenit, me 23 për qind, respektivisht 24 për qind.

DnV-ja ka raportuar se gjatë gjithë ditës janë evidentuar probleme të shumta me orientimin e votuesve drejt vendvotimeve të tyre.

Deri në orën 17:00 vështirësi të tilla janë raportuar në 65 për qind të vendvotimeve, me deri në 10 raste për vendvotim. Në rajonet e Prishtinës dhe Pejës, fenomeni ka qenë më i theksuar, duke arritur deri në 30 raste në 12 për qind të vendvotimeve.

Sipas raportit, votimi me asistencë ka mbetur në nivelin 0.2 për qind, megjithëse raste të tilla janë evidentuar në 55 për qind të vendvotimeve. Rreth 78 për qind e votuesve të asistuar kanë qenë gra.

DnV-ja vlerëson se në 6 për qind të vendvotimeve rastet e votimit me asistencë nuk janë evidentuar siç duhet. Ndërkohë, në mbi 65 për qind të vendvotimeve komisionerët kanë kërkuar dokumente mjekësore nga qytetarët që kanë kërkuar ndihmë gjatë votimit.

Po ashtu, në 45 për qind të vendvotimeve nuk është lejuar votimi me asistencë pa paraqitjen e dokumentacionit mjekësor, pavarësisht insistimit të votuesve, veçanërisht në Prishtinë.

DnV-ja ka raportuar se deri në orën 17:00 janë evidentuar raste të votimit me dokumente identifikimi me afat të skaduar në 25 për qind të vendvotimeve, me deri në katër raste për vendvotim.

Gjithashtu janë regjistruar 25 raste të fotografimit të votës, të evidentuara në 4 për qind të vendvotimeve.

Sipas DnV-së, janë raportuar edhe disa incidente që lidhen me tentime për të votuar në emër të anëtarëve të familjes, por të gjitha rastet janë trajtuar nga Policia e Kosovës.

Dy orë para mbylljes së vendvotimeve, DnV-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar, duke theksuar se pjesëmarrja në zgjedhje është njëkohësisht e drejtë themelore dhe mjet i rëndësishëm për të ndikuar në qeverisjen e vendit. /Zëri