Votimi me dokumente të skaduara e probleme të tjera teknike, Radoniqi jep detaje për ecurinë e zgjedhjeve
Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka mbajtur një konferencë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Ai tha se qendrat e votimit janë duke funksionuar normalisht dhe kryesisht problemet e paraqitura janë të natyrës teknike, raporton Zeri.info.
Radoniqi tha se numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 15:00 është 447.430, ose 22,83%.
Në disa vendvotime është raportuar se disa qytetarë janë lejuar të votojnë me dokumente me afat të skaduar, për çka kryesuesi i KQZ-së tha se janë duke u marrë me këtë çështje dhe se nuk do të lejohet që kjo të vazhdojë tutje.
Një tjetër problem që u raportua në media ishte se edhe ngjyra që vendoset në gishtërinj lehtësisht po fshihet.
Radoniqi për këtë tha se “nuk besoj që paraqet problem, sepse janë edhe format e tjera që sigurojnë se qytetarët nuk mund të votojnë më shumë se një herë, pra janë nënshkrimet në listën e votuesve”. /Zëri