Ambasadori britanik në Zubin Potok: Kosovës i duhen shpejt Kuvendi, Qeveria dhe Presidenti

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka bërë thirrje për formim sa më të shpejtë të institucioneve të reja, pas përfundimit të procesit zgjedhor, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit institucional në vend.

Gjatë një vizite në qendrën e votimit “Jovan Cvijiç” në Zubin Potok, ai vlerësoi procesin zgjedhor dhe angazhimin e stafit në terren, duke thënë se është pjesë e ekipit diplomatik të vëzhgimit të koordinuar nga Bashkimi Evropian.

“Ne jemi pjesë e ekipit të vëzhgimit diplomatik të koordinuar nga BE-ja, duke dërguar ekipe në të gjitha pjesët e Kosovës. Puna jonë është të sigurohemi që të kemi një pasqyrë të qartë të asaj që po ndodh në të gjithë vendin”, ka deklaruar Hargreavesi për “Mitropol”.

Ai ka shtuar se është i kënaqur me atmosferën dhe organizimin në qendrat e votimit në Zubin Potok.

“Gjithmonë kënaqem kur vij në Zubin Potok. Jam i lumtur që jam këtu. Njerëzit në qendrat e votimit kanë qenë shumë ndihmues dhe mikpritës”, u shpreh ai, duke përgëzuar të gjithë ata që po mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve.

Duke folur për pritjet pas zgjedhjeve, ambasadori britanik tha se shumë qytetarë shpresojnë që vendi të mos përballet sërish me procese të shpeshta zgjedhore.

“Kam përshtypjen se shumë njerëz në këtë vend shpresojnë që këto të jenë zgjedhjet e fundit për këtë vit. Nëse është e nevojshme të shkohet përsëri në zgjedhje, atëherë kjo do të ndodhë, por do të ishte shumë mirë nëse pas këtyre zgjedhjeve partitë politike do të arrinin marrëveshje për Kuvendin, Qeverinë dhe zgjedhjen e Presidentit”, ka deklaruar ai në intervistë për Mitropol.

Hargreavesi theksoi se krijimi i shpejtë i institucioneve është në interes të vendit dhe se përgjegjësia për marrëveshjet politike u takon partive.

“Kjo është diçka që partitë duhet ta zgjidhin mes tyre. Unë mendoj se Kosovës i duhet një Kuvend, një Qeveri dhe një President sa më shpejt të jetë e mundur. Do të jetë në dorën e partive politike të përcaktojnë sekuencën dhe rezultatin”, shtoi ambasadori britanik.

Vizita e tij në Zubin Potok u zhvillua në kuadër të monitorimit ndërkombëtar të procesit zgjedhor, ndërsa ai përcolli mesazhin se funksionalizimi i shpejtë i institucioneve është kyç për stabilitetin politik të Kosovës.